Fatjon Cuka
13 janar 2018•Përditësim: 14 janar 2018
TIRANË/SHKODËR (AA) - Një shpërthim ka ndodhur në qytetin e Shkodrës, ndërsa si pasojë kanë mbetur të plagosur disa persona, transmeton Anadolu Agency (AA).
Policia e Shqipërisë në një njoftim zyrtar ka konfirmuar se shpërthimi me lëndë plasëse ka ndodhur në orët e paradites në lagjen "Partizani", në Shkodër, ku si pasojë janë plagosur tetë persona. Nga të dhënat paraprake dyshohet se lënda eksploziv ka qenë e vendosur në një mjet tip motor, pranë një ndërtese.
"Si pasojë e shpërthimit janë plagosur shtetasit L.K. 42 vjeç, banues në Shkodër, i cili ndodhet në gjendje të rëndë, D.M, 32 vjeç, banues në Shkodër, ndodhet në gjendje të rënde dhe G.C., 40 vjeç, banues në Shkodër, jashtë rrezikut për jetën. Të tre këta shtetas u dërguan në Spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar", thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit të policisë, lëndime me të lehta kanë pësuar dhe 5 shtetas të tjerë që ndodhen në Spitalin Rajonal Shkodër për ndihmë mjekësore.
Gjithashtu theksohet se forcat e policisë kanë kryer shoqërimin e disa personave dhe po marrin deklarime nga persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.