Fatjon Cuka
28 Shkurt 2017•Përditësim: 01 Mars 2017
TIRANË (AA) - Ministri francez i Punëve të Brendshme, Bruno Le Roux, ka vizituar sot Shqipërinë, ku është takuar me homologun e tij, Saimir Tahiri, ndërsa ka theksuar se vizita në Shqipëri është në kuadër të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).
Dy ministrat kanë mbajtur një takim në selinë e Ministrisë së Brendshme, ku në fokus të bisedës së tyre ka qenë bashkëpunimi në fushën policore, lufta kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Tahiri dhe Roux pasi kanë vizituar Sallën e Informacionit dhe Komandimit (112) në Drejtorinë e Policisë së Tiranës kanë mbajtur një konferencë për mediat.
Ministri Tahiri ka theksuar gjatë fjalës së tij se dy vendet janë duke eksploruar çdo mundësi për të pasur rezultate shumë më të mira, nëpërmjet shkëmbimit të informacionit, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.
"Kemi sfida të njëjta sa i takon luftës kundër drogës dhe trafiqeve. Kemi rënë dakord për disa pika, ku më e rëndësishmja sipas meje, është ngritja e grupeve të përbashkëta me oficerë shqiptarë dhe oficerë francezë, të cilët do bëjnë hetime të përbashkëta në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, parave e aseteve kriminale. Dhe ndërkohë, ramë dakord për të shkëmbyer në mënyrë më intensive informacion, nga i cili do përfitojmë jo vetëm ne, por akoma më gjerë, edhe në kuadër të bashkëpunimit me INTERPOL dhe EUROPOL, për të pasur më shumë siguri qoftë në Francë, Shqipëri e pa asnjë diskutim edhe më gjerë", u shpreh Tahiri.
Ministri francez ka theksuar se dy vendet së bashku duhet të intensifikojmë të gjitha politikat e luftës kundër emigrimit të paligjshëm.
"Vizita ime në Shqipëri është në kuadër të forcimit dhe intensifikimit të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve. Ne kemi tashmë një eksperiencë të gjatë të bashkëpunimit pozitiv të vendeve tona. Gjë e cila na mundësoi që sot në takimin e paradites të ishim më konkretë në pika të caktuara, me të cilat ne duam të zgjerojmë këtë bashkëpunim; dhe pikërisht në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu ne duam të forcojmë luftën kundër rrjeteve të personave, të cilët në Francë, në Europë apo në Shqipëri shfrytëzojnë territorin, lëvizin nga njëri vend në tjetrin për të vjedhur apo për të hyrë në banesat e qytetarëve", u shpreh Bruno Le Roux.
Ministri i Brendshëm i Francës, pyetjes rreth ndalimit në Francë të kryetarit të Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur se "Doja t’ju përgjigjesha me përgjigjen që ka dhënë ministri i Drejtësisë në Francë, ku ka një ligj, një të drejtë e cila duhet respektuar. Gjithë sistemi i drejtësisë është totalisht i pavarur dhe dua të jap atë përgjigje që e ka theksuar edhe ministri, që 'ministri i brendshëm', të ndërhyjë apo të flasë për çështje që kanë të bëjnë me Ministrinë e Drejtësisë dhe me ministrin e Drejtësisë, është totalisht e ndaluar."