Sibel Vezaj
15 Dhjetor 2016•Përditësim: 16 Dhjetor 2016
PRISHTINË (AA) - Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, njofton se sot shteti i Kosovës u bë me kod telefonik ndërkombëtar 383 të cilën Organizata Ndërkombëtare për Telekomunikacion e OKB-së (ITU) ia alokoi edhe zyrtarisht, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se ITU në pajtim me marrëveshjen e telekomit ka publikuar kodin telefonik për Kosovën.
“Ky lajm përbën një të arritur historike për fushën e telekomit dhe fuqizon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Ministrja Tahiri dhe grupi punues: Kreshnik Gashi, koordinator profesional për telekomin dhe kryetar i Bordit të ARKEP, Gazmir Raci, koordinator politik për telekomin dhe këshilltar i ministres Tahiri, Ilir Imeri, drejtor i departamentit për menaxhimin e frekuencave në ARKEP, Rexhë Gjonbalaj, kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës, Mehdi Latifaj, drejt teknik i Telekomit të Kosovës dhe Zana Bejta nga IPKO, i urojnë të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë të arritur”, thuhet në njoftim.