Admir Fazlagikj
15 Dhjetor 2016•Përditësim: 15 Dhjetor 2016
SHKUP (АА) - Në prani të ambasadorit të BE-së në Maqedoni Samuel Zhbogar, kryetari i nderit i jurisë për çmimin “Zhan Mone”, Sonila Meço, si dhe shumë gazetarëve, fotoreporterëve, personaliteteve të jetës publike sonte në Shkup në ceremoni solemne u ndanë çmimet për gazetari, për reportazhë dhe për fotografi amatore, raporton Anadolu Agency (AA).
Çmimin për tekst më të mirë gazetaresk sivjet Delegacioni i BE-së në Shkup ia ndau gazetarit të ndjerë para do kohe Vllado Gjorçev, të cilin e pranuan kolegët e tij Simona Atanasova dhe DImitar Tanurov.
Konkursi për çmimin “Zhan Mone” sivjet ishte me temë “Marrëveshja e Përzhinës dhe më pas”. Gazetari Gjorçev është shpërblyer për storjen hulumtuese lidhur me hetimin për rastin “Transportuesi” që e hapi Prokuroria Speciale Publike, si dhe për angazhimin e tij gazetaresk në raportimin lidhur me Marrëveshjen e Përzhinës.
Çmimin për fotografinë më të mirë e fitoi fotoreporteri Robert Atanasovski, ndërsa për fotografi më të mirë amatore Darko Cvetanovski.
Ambasadori i BE-së në Shkup Samuel Zhbogar tha se “Zhan Mone” është çmim i cili është simbol drejt gazetarisë së përkushtuar dhe raportimit objektiv në opinion.
“Sivjet sipas disa njerëzve konkursi ka një temë kontroverse Përzhina dhe më pas, megjithatë puna e arritur tregoi se tema është mjaft inspiruese dhe jep përshtypje për këtë ngjarje politike. E para është ndërtimi i institucionit të pavarur dhe ndërtimi i besimit në institucionet shtetërore. E dyta është për të pasur dialog që të zgjidhen problemet përmes dialogut dhe komunikimit. Marrëveshja e Përzhinës e solli vendin deri te zgjedhjet e suksesshme javën e kaluar. Në zgjedhjet njerëzit patën mundësi që ta shprehin vullnetin dhe atë e bënë në shifra të mëdha. Presim që Parlamenti i ri dhe Qeveria e re do të angazhohen në zbatimin e reformave të nevojshme me qëllim që ta sjellin vendin prapa në rrugën euroatlantike”, tha euroambasadori Zhbogar gjatë ndarjes së çmimeve.
Të pranishmëve iu drejtua edhe Sonila Meço nga Shqipëria, kryetare nderi i jurisë për çmimin “Zhan Mone”. Ajo uroi të shpërblyerit dhe u dëshiroi sukses në punën e mëtejshme.
Ndryshe, çmimin “Zhan Mone” Delegacioni i BE-së sivjet e ndau për herë të 14-të, ndërsa ka të bëjë me arritjet më të mira në raportimin për çështje që kanë të bëjnë lidhur me BE-në dhe aderimin e vendit drejt BE-së.