Zülfiya Yakup
16 Janar 2018•Përditësim: 16 Janar 2018
MITROVICË (AA) – Pas vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç, situata në Mitrovicën e Veriut në Kosovë është e qetë, por e tensionuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëvendësdrejtori Rajonal i Policisë së Kosovës për Veriun, Besim Hoti thekson se atmosfera në qytet është e tensionuar për çka qytetarët ndjehen të pasigurtë.
"Lusim qytetarët të cilët kanë informacione për rastin, të njëjtat t'ia transmetojnë policisë në mënyrë që të zbulohen autorët e kësaj vepre, por edhe të parandalohen të tilla në të ardhmen”, tha Hoti.
Qytetarët nga ana e tyre shprehen të shqetësuar, por edhe të befasuar nga vrasja e Ivanoviçit.

“Të vrasësh një njeri është e paimagjinueshme sepse ne ngelëm këtu dhe dhamë shumë mund që të mbesim këtu. Nuk dimë kush është kryerësi prandaj do heshtim deri në zbardhje të rastit, por jam skeptik se do të bëhet”, tha shtetasi Rade Nedeljkoviç.
Vrasja e Oliver Ivanoviçit është dënuar ashpër nga zyrtarët ndërkombëtarë por edhe nga ata vendor, duke u bërë thirrje autoriteteve të shtetit që të zbardhin rrethanat e vrasjes.
Mëngjesin e sotëm, lideri i nismës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç, është qëlluar me armë zjarri para zyrës së tij në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Rreth orës 08:10 minuta në rrugën 'Sutjeska' në veri të Mitrovicës, është regjistruar një incident me përdorim armë zjarri, me ç’rast persona deri më tani të panjohur kanë shtënë në drejtim të Oliver Ivanoviç, i cili fillimisht është plagosur në afërsi të zyrës së tij të punës. Viktima është dërguar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës për reanimim, ndërsa mjekët kujdestarë kanë konstatuar vdekjen e tij”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Kujtojmë se 64 vjeçari Ivanoviç ishte një nga politikanët kryesorë serb në veriun e Kosovës të dominuar nga serbët. Ivanoviç i cili komandonte grupet paramiltare serbe në luftën e Kosovës u dënua me 9 vjet burgim në vitin 2016 për krimet e kryera gjatë luftës kundër civilëve shqiptarë. Gjykata Supreme e ndryshoi vendimin në vitin 2017 me ç'rast urdhëroi rigjykimin.