Mara Dragovic
16 Janar 2018•Përditësim: 17 Janar 2018
BEOGRAD (AA) – Vrasja e Oliver Ivanoviçit për shtetin e Serbisë paraqet një akt terrorist, dhe të njëjtën ashtu do ta trajtojmë, deklaroi sot presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, raporton Anadolu Agency (AA).
"Në mbledhje është dakorduar dhe dërguar një letër organeve të EULEX-it dhe UNMIK-ut, që organet shtetërore të Republikës së Serbisë të marrin pjesë në hetime, sepse një gjë e tillë do të zbardhte të vërtetën mbi vrasjen”, tha Vuçiç në adresimin e tij për gazetarët.
Sipas fjalëve të tij, Prokuroria e Serbisë për Krim të Organizuar sot do të nisë një procedurë parahetimore.
"Shteti i Serbisë do të ndërmerr masat e nevojshme dhe do të zbulojmë vrasësin. Nga Federica Mogherini dhe nga gjithë përfaqësuesit tjerë të bashkësisë ndërkombëtare kërkova që të kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe me përgjegjësi”, shtoi më tej Vuçiç.
I pyetur nëse vallë shërbimet serbe të sigurisë kanë patur informacione për kërcënime eventuale mbi Ivanoviçin, Vuçiç ishte i prerë se "pavarësisht kush e ka kryer vrasjen, qoftë shqiptar, serb apo i huaj, ai ka kryer një sulm mbi serbët në Veri të Kosovës por edhe ndaj Serbisë si një tërësi".
Ai tha se vrasësit kanë lënë gjurmë dhe kjo është arsyeja e kërkesës së Serbisë për kyçje aktive në zbardhjen e kryerësve.
Presidenti i Serbisë, Vuçiç, tha se populli në Kosovë është i shqetësuar për çka paralajmëroi një udhëtim atje ndërkohë që serbëve të Kosovës u bëri thirrje për paqe dhe përmbajtje.
Udhëheqësi i Iniciativës Qytetare "Liri, Demokraci, Drejtësi" Oliver Ivanoviç u vra sot nga të shtëna me armë zjarri këtë mëngjes në veri të Mitrovicës.

- Daçiç: Vrasja e Ivanoviçit rrezikon stabilitetin e të gjithë rajonit
Ndërkaq, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Mal të Zi, deklaroi se vrasja e Oliver Ivanoviçit, kreut të Iniciativës Qytetare "Liri, demokraci, drejtësi", është një akt terrorist që kërcënon stabilitetin jo vetëm të veriut të Kosovës por edhe të gjithë rajonit.
Ai në reagimin e parë për vrasjen e Ivanoviçit ka thënë se lajmin për vrasjen e kishte mësuar pas aterimit në aeroportin e Podgoricës.
"Unë e mësova lajmin për vrasjen e Oliver Ivanoviçit pas aterimit në aeroport në Mal të Zi. Ky është një akt i marrë terrorist i cili kërcënon stabilitetin jo vetëm në veriun e Kosovës por edhe të gjithë rajonit. Ne kërkojmë që policia të veprojë me vendosmëri dhe të arrestojë autorët dhe porositësit e këtij akti makabër terrorist. Gjëja më e rëndësishme është ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe shpreh ngushëllimet më të thella familjes së të vrarit Ivanoviç", tha Daçiç në një konferencë për media pas takimit me homologun e tij malazez Srdjan Darmanoviç.
Ai tha se vrasja e Ivanoviçit ishte goditje ndaj interesit të popullit serb.
"Sigurisht kjo është një goditje e rëndë, një goditje serioze ndaj stabilitetit të rajonit, në veçanti në pjesën veriore të Kosovës, dhe kur kërcënohet stabiliteti i veriut të Kosovës, kërcënohet stabiliteti i të gjithë Kosovës dhe të gjithë rajonit. Kjo është një goditje ndaj interesit të popullit serb, serbëve që jetojnë në Kosovë dhe prandaj sot mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare nën udhëheqjen e Presidentit Vuçiç", tha Daçiç.
Kujtojmë se 64 vjeçari Oliver Ivanoviç ishte një nga politikanët kryesorë në Kosovën veriore të dominuar nga serbët. Ivanoviç, i cili komandonte grupet paramilitare serbe në luftën në Kosovë, u dënua me 9 vjet burg në vitin 2016 për krimet e kryera gjatë luftës kundër civilëve shqiptarë. Gjykata Supreme e ndryshoi vendimin në vitin 2017 dhe urdhëroi rigjykimin.