Besar Ademi
01 Qershor 2017•Përditësim: 02 Qershor 2017
SHKUP (AA) – Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë, Oliver Spasovski, në një konferencë për media dënoi sulmin me armë zjarri ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Nikolla Todorov, raporton Anadolu Agency (AA).
Spasovski theksoi se çfarëdo qofshin motivet, zemërimi dhe arsyet e sulmit, e drejta për jetën e çdo qytetari është e pamohueshme. Ai shtoi se gjatë viteve të fundit sistemi i qeverisjes së të drejtës dhe shteti i të drejtës është shkatërruar, si pasojë e siç tha ai, politizimit të institucioneve shtetërore pas së cilës qytetarët kanë humbur besimin.
“Si ministër i Brendshëm dënojmë të gjitha krimet dhe shkeljet e sigurisë së qytetarëve dhe shtetit. Por, në të njëjtën kohë do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme që qytetarët të besojnë përsëri Ministrinë e Punëve të Brendshme”, deklaroi Spasovski, duke shtuar se dikasteri që drejton ai do të marrë të gjitha masat e duhura për të pastruar motivet dhe pasojat e incidentit të sotëm.
Spasovski shtoi se institucionet e shtetit patjetër duhet të punojnë në interes të mbrojtjes së qytetarëve dhe të respektojnë sundimin e ligjit. Ai apeloi tek të gjithë qytetarët që të mos marrin ndonjë vendim që do të rrezikonte jetën e tyre dhe jetën e qytetarëve tjerë.