Zlatan Kapiç,Talha Öztürk
05 Janar 2017•Përditësim: 06 Janar 2017
BEOGRAD (AA) – Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç, në Akademinë Mjekësore Ushtarake në Beograd vizitoi kameramanin e Anadolu Agency (AA), Nihad Ibrahimkadiç, i cili në orët e mëngjesit të sotëm si pasojë e një sulmi në afërsi të stacionit hekurudhor të Beogradit, pësoi lëndime të rënda trupore.
Stefanoviç deklaroi se policia është duke hetuar në çdo drejtim, me qëllim që sa më shpejtë zbulojnë sulmuesit.
“Ajo që ndodhi është se kameramani i Agjencisë Anadolu u sulmua në orët e mëngjesit në rrugën Nemanjina, nga tre persona për të cilët dyshohet, sipas deklaratës së tij se janë emigrantë. Ne atë ende nuk mundemi ta konfirmojmë me siguri, por hetimi është duke u drejtuar për të përcaktuar nëse me të vërtetë janë emigrantë apo bëhet fjalë për persona të tjerë”, deklaroi ai.
Stefanoviç theksoi se një gjë e mirë është se kameramani i AA-së nuk është sulmuar për shkak se ushtron profesionin kameraman, por sulmuesit kanë pasur për qëllim t’i vjedhin çantën e shpinës. Ai shtoi se rasti do të do të vazhdojë të hetohet në çdo drejtim të mundshëm.
“Nuk do të lejojmë asgjë që policia të mos veprojë. Na vjen shumë keq që kjo ka ndodhur, sepse çdo kush është mysafirë i shtrenjtë në qytetin tonë dhe sepse çdo kush që viziton qytetin tonë meriton siguri maksimale. Ne jemi duke bërë përpjekje të mëdha për të gjetur ata persona. Do t’i gjejmë dhe do t’i arrestojmë, pa marrë parasysh janë ose nuk janë emigrantë”, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë.
Stefanoviç shtoi: “Kushdo që e bëri këtë krim duhet të përgjigjet. Ai pësoi lëndime të rënda trupore dhe presim që policia në orët e ardhshme të sqaroj këtë rast dhe t’i ndalojë të dyshuarit."
Ministri serb shtoi se Ibrahimkadiç është sulmuar “pas shpine” duke u përpjekur që t’i marrin çantën e shpinës, i cili ka mbrojtur veten dhe është sulmuar disa herë në fytyrë. “Bëhet fjalë për lëndime të rënda trupore. Duhet të presim përfundimin e hetimit për detaje të tjera”, njoftoi Stefanoviç.
Mesazhe mbështetëse dhe urime për shërim të shpejtë, kameramanit të AA-së Ibrahimkadiç i dërgoi edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Edhe Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë (NUNS) dhe Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Vojvodinës (NDNV) e dënuan ashpër sulmin e egër ndaj kameramanit të AA-së, si dhe apeluan që policia urgjentisht të gjej sulmuesit dhe motivet e sulmit.
Sulmin e kameramanit të AA-së e dënoi edhe përfaqësuesja e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Lirinë e Mediave, Dunja Mijatoviq, e cila kërkoi nga autoritetet serbe hetim të shpejtë dhe efektiv, si dhe kapjen e autorëve të sulmit.
Nihad Ibrahimkadiç, punonjës i Anadolu Agency (AA) u sulmua në orët e mëngjesit të sotëm në afërsi të stacionit hekurudhor në Beograd. Ai pësoi lëndime të rënda trupore, ndërsa pas sulmit është gjetur nga xhandarmëria dhe është dërguar në Akademinë Mjekësore Ushtarake ku gjatë ditës së nesërme do t’i kryhet operacion kirurgjik.
Persona të panjohur sulmuan Ibrahimkadiçin pas shpine, pa ndonjë arsye. Sulmuesit nuk kanë folur dhe as nuk i morën kameramanit sendet me vlerë. Kameramani i AA-së është sulmuar pas kthimit të tij nga Bosnja dhe Hercegovina, ku ai qëndroi për festën e Vitit të Ri.
Për sulmin ndaj kameramanit të AA-së janë njoftuar autoritetet kompetente të Republikës së Serbisë, si Ambasada e Bosnjës dhe Hercegovinës në Serbi dhe Ambasada e Republikës së Turqisë.
OSBE dënon sulmin ndaj kamermanit të AA-së në Beograd
Dunja Mijatoviç, përfaqësuesja e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Lirinë e Mediave ka dënuar sulmin ndaj Nihad Ibrahimkadiç, kameramanit të Anadolu Agency (AA), që ndodhi sot në mëngjes në Beograd.
“Ndonëse ende është e paqartë nëse sulmi ka të bëjë me angazhimin e tij profesional, besoj se autoritetet në themel do të hetojnë këtë sulm të neveritshëm dhe autorët t’i sjell para drejtësisë. Sulmet ndaj mediave thjeshtë nuk mund të tolerohen”, tha Mijatoviç.