Dejan Maksimoviç
26 Dhjetor 2015•Përditësim: 27 Dhjetor 2015
BEOGRAD (AA) – Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç, konfirmoi se gjatë operacionit të gjerë kundër korrupsionit janë arrestuar 79 persona, ndërsa pesë të tjerë ende janë në kërkim. Po ashtu njoftoi se buxheti i Serbisë është dëmtuar për më shumë se 100 milionë euro, ndërsa në mesin e të arrestuarve gjenden edhe ish-zyrtarë të lartë të Serbisë, drejtorë të ndërmarrjeve publike, biznesmenë, kryetarë të tanishëm dhe të dikurshëm të komunave, raporton Anadolu Agency (AA).
Emri më i njohur mes të arrestuarve është ish-ministri Sllobodan Millosavljeviç, pastaj Zorana Markoviç, ish-drejtoresha e Agjencisë për luftë kundër korrupsionit, dhe pronari i “Biohemie” biznesmeni Zhelko Zhuniç.
“Pjesëtarët e MPB-së së Serbisë dhe prokuroritë kompetente zbatuan një aksion të koordinuar në mbarë territorin e Republikës së Serbisë në të cilin janë arrestuar 79 persona, ndërsa për pesë të tjerë ende intensivisht kërkohet. Janë parashtruar kallëzime penale kundër edhe 39 personave. Aksioni është zbatuar me qëllim të parandalimit të krimit dhe korrupsionit financiar, ne veçanti të keqpërdorimit të organeve shtetërore. Kundër të akuzuarve janë ngritur padi penale për shkak të dyshimit themelor se nga viti 2004 deri më sot kanë kryer më shumë vepra penale duke shkaktuar dëme materiale mbi buxhetin e Serbisë, Vojvodinës, qytetit të Beogradit, hekuranës Smederevë, kompanisë së sigurimeve “Dunav” dhe shumë ndërmarrjeve tjera publike dhe agjencive shtetërore në shumë prej shtatë miliardë e 800 mijë dinarëve, që është mbi 100 milionë euro”, tha Stefanoviç.
Sipas tij të dyshuarit nga viti 2004 deri më sot kanë kryer vepra penale si pastrim parash, keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje dhe dhënie të ryshfetit, keqpërdorim të furnizimeve publike, për vepra korruptive në sferën e bujqësisë dhe dhënien e truallit ndërtimor të vetëqeverisjes lokale.
Bëhet fjalë për njërin nga aksionet më të përgjithshme të zbatuar ndonjëherë në Serbi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit financiar, bën të ditur Anadolu Agency