Sibel Vezaj
09 Nëntor 2016•Përditësim: 10 Nëntor 2016
PRISHTINË (AA)- Presidenti i Republikës së Kosovës vlerëson se raporti i Komisionit Evropian për këtë vit përmban vlerësime pozitive për punën e institucioneve të Republikës së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një postim në rrjetet sociale të tij, presidenti Thaçi ka shkruar se “Me të drejtë theksohet rëndësia e avancimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së, me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Por, siç ishte pritur, fokusi i raportit edhe këtë radhë është tek ngecjet dhe kritikat e ndryshme. Gjersa në njërën anë këto ngecje mund të jenë reflektim i gjendjes në vendin tonë, në anën tjetër ato qëllimshëm theksohen tejmase për të justifikuar paaftësinë dhe jounitetin e BE-së për t’ia ofruar Kosovës perspektivën e sigurt të anëtarësimit."
Duke vënë në dukje se Kosova përballet me shumë sfida që kërkojnë punë serioze për tejkalimin e tyre, Thaçi ka theksuar se do të vazhdojë qëndrimin e tij, duke mos pranuar që qytetarët e Kosovës të trajtohen në mënyrë të pabarabartë.
“Fatkeqësisht, BE-ja në mungesë të unitetit përbrenda ka dështuar dhe po vazhdon të dështojë në trajtimin e Kosovës në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera që aspirojnë anëtarësimin në BE. Si pasojë e kësaj qasje, Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm i izoluar në Ballkanin Perëndimor dhe perspektiva e anëtarësimit në BE mbetet tepër e paqartë”, ka shkruar Thaçi.
Ai së fundi ka bërë të ditur se qytetarët e Kosovës nuk kanë asnjë dilemë sa i përket jetësimit të vizionit të Kosovës për anëtarësim në BE, duke theksuar se tani është koha që edhe BE-ja të jetë e qartë me Kosovën.