Saimir Alija
23 Janar 2018•Përditësim: 24 Janar 2018
TIRANË (AA) - Ministri i Shtetit për Diasporën i Shqipërisë me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, organizoi sot tryezën e diskutimit me temë “Votimi i shtetasve shqiptarë jashtë vendit”, e cila ka mbledhur së bashku ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fjalën e tij në aktivitet, ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, theksoi se vota e shqiptarëve jashtë vendit ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e komuniteteve shqiptare në vende të ndryshme ku ata jetojnë.
“Për marrëdhëniet me Diasporën, Qeveria e Shqipërisë ka nënshkruar dy marrëveshje me shtetin e Kosovës në nivel kryeministrash, po ashtu po negociohen marrëveshje të kësaj natyre me Maqedoninë dhe Malin e Zi. Reforma elektorale në kuadrin e së drejtës së votës së shtetasve jashtë vendit ka një rëndësi madhore për reflektimin në organizimin e brendshëm të shoqërisë shqiptare. Ajo do të sjellë një freski politike elektorale, do të rrisë përgjegjshmërinë e politikëbërjes si dhe do të rrisë standardet për qeverisjen e vendit. Vota e shtetasve shqiptarë jashtë vendit do ta lidhë edhe më fort të ardhmen e vendit në procesin e integrimit evropian", tha Majko.
Duke folur për procesin e regjistrimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, Majko theksoi: “Ky proces kërkon një kujdes të veçantë administrativ. Shtetasit shqiptarë kur të aplikojnë pranë zyrave përkatëse në Shqipëri apo konsullatën e shtetit ku jetojnë për tu pajisur me letërnjoftim elektronik apo pasaportë biometrike, duhet të deklarojnë të dhënat e kërkuara, përfshirë edhe adresën e saktë të vendbanimit në shtetin e huaj ku ato jetojnë, sipas formularit përkatës”.
Ndërsa kryetari në detyrë i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, tha se prezenca e ambasadorëve të huaj në këtë aktivitet shënon interesin dhe seriozitetin e reformës në sistemin zgjedhor në Shqipëri edhe interesin ndërkombëtar në mirfunksionimin e demokracisë.
Ai duke folur për votimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, tha se kjo është një çështje e rëndësishme dhe mjaft komplekse. “Më shumë se 1/3 e shqiptarëve banojnë jashtë vendit dhe kjo ndihmon në mirëqenien dhe ekonominë e vendit. Shumë vende njohin të drejtën e votimit për shtetasit jashtë vendit, mirëpo nuk ekzistojnë as nga OSBE ODHIR standarde fikse që kontrollojnë votimin jashtë vendit. Vendimi për të pranuar mundësinë e votimit të shtetasve jashtë vendit varet nga secili shtet dhe në këtë rast nga Shqipëria. Dhe ata që e konsiderojnë të drejtën e votimit për shtetasit jashtë vendit duhet të tregohen të kujdesshëm për çfarë është më e mirë për vendin”, tha Wilton.
Në konferencë është diskutuar për procesin e përgatitjes së ndryshimeve ligjore për mundësinë e votës për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, si dhe për rekomandimet e ekspertëve të zgjedhjeve në lidhjen me këtë çështje. Kujtojmë se Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një ligj “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë", ndërsa në vend kanë filluar diskutimet dhe konsultimet për garantimin e votës së shqiptarëve në diasporë.