Sibel Vezaj
04 Mars 2017•Përditësim: 04 Mars 2017
PRISHTINË (AA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në takim Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Kuvendi thuhet se në këtë takim u diskutua për progresin e Kosovës në rrugën drejt integrimeve evropiane, për përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës, si dhe për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Kryeparlamentari Veseli dhe përfaqësuesja e lartë Mogherini kanë diskutuar edhe për çështjen e marrëveshjes për shënimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Me këtë rast, Veseli ritheksoi qëndrimin e vazhdueshëm të Kuvendit të Kosovës që sapo të vijë marrëveshja e shënimit të kufirit nga Qeveria, ajo do të procedohet në seancë.
“Qytetarët e Kosovës janë gjeografikisht, politikisht, kulturalisht pjesë Evropës. Prandaj, ne do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona ndaj Bashkimit Evropian si institucione dhe si popull”, tha Veseli.
Veseli dhe Mogherini kanë diskutuar edhe për procesin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me këtë rast, Veseli i ka dhënë mbështetje dialogut, duke e vlerësuar si interes të qytetarëve të dy shteteve për normalizim të raporteve.