Nazmi Abduramani
10 Maj 2017•Përditësim: 10 Maj 2017
SHKUP (AA) – Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, Fatos Reka, i cili e konsideroi zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, si një hap shumë të rëndësishëm në stabilizimin e gjendjes politike në Maqedoni, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç thuhet në njoftimin e Kuvendit të Maqedonisë, ambasadori Reka nënvizoi domosdoshmërinë e vazhdimësisë së marrëdhënieve të mira dhe miqësore mes dy shteteve në të ardhmen, për çka beson se do të mbahet trendi pozitiv i marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Sipas njoftimit, Reka riafirmoi "mbështetjen e fuqishme të integrimeve euroatlantike të Republikës së Maqedonisë, për të cilën Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, do të vazhdojë ta ofrojë edhe më tej ndaj Republikës së Maqedonisë".
Në plan të brendshëm, thuhet se, Republika e Shqipërisë edhe më tej do t’i kushtojë vëmendje të veçantë planit të politikës shtetërore për sigurimin e garancive kushtetuese dhe ligjore për statusin e pakicës maqedonase dhe të pakicave tjera në Shqipëri.
Ndërsa kryeparlamentari Xhaferi në takim shprehu bindjen se vazhdimësia e marrëdhënieve miqësore ndërshtetërore edhe më tej do të vazhdojë me ritëm intensiv, ndërsa veçmas falënderoi për mbështetjen për integrimin në NATO të Republikës së Maqedonisë.
"Të dy bashkëfolësit ndanë bindje të ndërsjellë se në këtë rajon të suksesshme mund të jenë vetëm konfrontimet në koncepte konstruktive politike, ndërsa të gjitha idetë tjera për konflikte ndërshtetërore, ndëretnike dhe ndërnacionale janë paraprakisht 'të dënueshme' si projekte të pasuksesshme. U ndanë mendime edhe për marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale mes dy shteteve, me ç’rast u konstatua se stabiliteti i Republikës së Maqedonisë është segment i rëndësishëm nga stabiliteti i përgjithshëm i rajonit të Ballkanit Perëndimor, stabilitet që prodhon momente pozitive në integrimin evropian të të gjitha vendeve të këtij rajoni", thuhet në njoftimin.