Figen Shaban
22 Tetor 2017•Përditësim: 22 Tetor 2017
PRISHTINË (AA) – Të gjitha qendrat e votimit për zgjedhjet lokale në Kosovë janë mbyllur në ora 19:00, raporton Anadolu Agency (AA).
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më herët njoftoi se në bazë të të dhënave të dërguara në mënyrë elektronike nga qendrat e votimit për të gjitha komunat e Kosovës deri në ora 15:00 kanë votuar 532.288 votues apo 28.89 përqind e votuesve”.
KQZ ka njoftuar se në disa vende kanë ndodhur probleme teknike të cilat janë tejkaluar në mënyrë të rregullt.
Ndërsa, organizata joqeveritare "Demokracia në Veprim" (DnV) e cila ka angazhuar mbi 2.500 vëzhgues të cilët po mbulojnë të gjitha vendvotimet dhe raportojnë në kohë reale për procesin, daljen e votuesve në zgjedhje dhe parregullsitë eventuale raporton se deri në orën 16:00, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 32.68 për qind e qytetarëve të vendit ose 618.010 qytetarë me të drejtë vote.
OJQ "DnV" ka njoftuar se në disa qendra votimi është ndërprerë për shkaqe teknike si shkak i diskrepancës midis numrit të fletëvotimeve për kryetar komune dhe atij për kuvend komunal si dhe tentimi për të votuar më shumë se një herë.
Në zgjedhje marrin pjesë 91 subjekte politike, prej tyre 1 koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur. KQZ-ja ka akredituar 33 mijë e 200 vëzhgues vendor dhe ndërkombëtar.
Kujtojmë se këto janë zgjedhjet e shtata lokale në Kosovë. Zgjedhjet e fundit lokale në vend u mbajtën në vitin 2013.