Zülfiya Yakup
11 Qershor 2017•Përditësim: 11 Qershor 2017
GRAÇANICË (AA) – Në komunën e Graçanicës sot sikur edhe në të gjitha komunat tjera të Kosovës po votohet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë komunë me shumicë të popullsisë serbe të drejtë vote kanë 22 mijë votues.
Ekipi i Anadolu Agency (AA) vizitoi një qendër votimi në shkollën fillore “Kralj Milutin” në të cilën të drejtë vote kanë 8.000 votues të regjistruar. Në shkollën vërehet një numër i madh i qytetarëve të cilët kanë ardhur që të realizojnë të drejtën e tyre.
Dejani nga Sushica, komuna e Graçanicës, pret që Beogradi dhe Prishtina të dakordohen me qëllim që qytetarët të jetojnë më mirë.
“Pres që këto zgjedhje të sjellin mirëqenie për mbarë Kosovën, jo vetëm për bashkësinë serbe që i përkas, por për mbarë Kosovën, që njerëzit të jetojnë më mirë, të mund të jetojnë nga puna e tyre dhe të sundojë ligji. Përfundimisht Beogradi dhe Kosova të merren vesh që njerëzit të jetojnë më mirë”, tha Dejan.
Slava Filipoviç, një pensionist nga Graçanica, tha se ai ka votuar për ata që mendon se do të bëjnë diçka, ndonëse sipas tij të gjithë shumë premtojnë, por pak realizojnë. “Dua të ketë liri, fëmijët tanë të lëvizin, të kenë punë, të kemi gjithçka”, tha Slava.
Jehona e daljes në komunën e Graçanicës deri në orën 11:00 ishte 11.12 për qind.