Husamedin Gina
01 Prill 2021•Përditësim: 01 Prill 2021
Arkivi shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut shënoi 70-vjetorin e themelimit, raporton Anadolu Agency (AA)
Me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Arkivit shtetëror, në “Muzeun e luftës maqedonase” në Shkup u mbajt akademi solemne, nën patronazhin e kryeministrit Zoran Zaev, i cili u adresua para pjesëmarrësve.
Kryeministri Zaev në adresimin e tij duke potencuar rëndësinë e Arkivit shtetëror, tha se "ky institucion që është themel i identitetit tonë dhe dëshmitar i historisë, kulturës dhe traditës tonë padyshim ka një rol të rëndësishëm para së gjithash si një gardian i memories sonë kolektive dhe vlerave kombëtare".
“Arkivi shtetëror është një tempull shkencor historik, një lloj ure mes të kaluarës dhe të ardhmes. Pika fillestare në gjenezën hulumtuese për elementet më të rëndësishme lidhur me identitetin e një populli. Meqë materiali arkivor është trashëgimi e ruajtur historike dhe kulturore është pasuri e jonë e përhershme kombëtare", tha Zaev.
Duke theksuar se Arkivi shtetëror paraqet një nga shtyllat e identitetit tonë, Zaev tha se borxhi dhe detyrimi ndaj gjeneratave të ardhshme për ruajtjen e pakushtëzuar të historisë dhe pasurisë së përhershme kombëtare bie pikërisht mbi supet e Arkivit shtetëror.
Në adresimin e tij, drejtori i Arkivit shtetëror, Emil Kërsteski tha se njohuritë për të kaluarën dhe historinë nuk do të ishin aspak e mundur nëse nuk do të ishte Arkivi shtetëror me ndihmën e së cilës mund të kuptohet e kaluara dhe identiteti i cilit do shtet ose popull.
"Në depot tona gjenden dokumente shumë të rëndësishme që lidhen me të kaluarën tonë, dokumente origjinale, letra, fotografi dhe materiale tjera nga revolucionarë të famshëm, njerëz të Ilindenit, edukatorë dhe shkrimtarë, artistë, aktivistë socialë si dhe dokumente nga proceset më të rëndësishme politike dhe historike, ngjarjet dhe personalitete nga koha më e re", tha regjisori Kërsteski.
Në tubimin solemn po ashtu morën pjesë presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Salih Murat, kryepeshkopi Stefan, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Shaqir Fetahu, ministra, deputetë, Omer Sogut, koordinator programor i TIKA-s në Shkup, historianë dhe një numër të ftuarish.
Me rastin e jubileut u promovua edhe monografia “Vula e Kohës - 70 vjet të Arkivit shtetëror (1951-2021)" e cila paraqet zhvillimin historik të Arkivit shtetëror, përmes fotografive dhe dokumenteve më të rëndësishme me të cilat disponon Arkivi. Po ashtu u promovua koleksioni "Njerëzit e Parë të Arkivit shtetëror (1951-2021)".
Pas përfundimit të pjesës zyrtare të ngjarjes, mysafirët kishin mundësi ta shikojnë ekspozitën “Komuna e Qytetit të Shkupit" kushtuar kryetarëve të Qytetit të Shkupit.