Agim Sulaj
09 Mars 2022•Përditësim: 09 Mars 2022
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit sot ka miratuar formimin e një grupi punues ndër-institucional për integrimin e Kosovës në Aleancën Veriatlantike (NATO), transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka arsyetuar vendimin duke thënë se pranimi i Kosovës në NATO është urgjent meqë “Kosova dhe shtetet tjera demokratike properëndimore në rajon po ballafaqohen çdo ditë e më shumë me veprime destabilizuese të provokuara nga Rusia, përmes vartësve të saj”.
“Anëtarësimi në NATO mbetet prioritet strategjik parësor i Kosovës. Republika e Kosovës ka dëshmuar përkushtimin për mbrojtjen e parimeve dhe vlerave të përbashkëta dhe përkushtimin për të kontribuuar për siguri dhe paqe jo vetëm në rajon por edhe në botë përmes bashkëpunimit për ngritjen e relacioneve të mira fqinjësore dhe pjesëmarrjes në misione paqeruajtëse”, tha Gërvalla.
Ajo ka thënë se objektivat e këtij grupi punues do të jetë procedura e integrimit të Kosovës në NATO dhe forcimi i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.
“Intensifikimi i punës së procesit të integrimit të Kosovës në NATO, duke synuar përfshirjen sa më të shpejtë në këtë aleancë, anëtarësimit sa më të shpejtë të Kosovës në Kartën e Adriatikut A5 dhe duke avancuar praninë e Kosovës në organizata dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë të sigurisë dhe mbrojtjes”, theksoi Gërvalla.
Ky grup punues do të ketë disa anëtarë. Kryesuesi i këtij grupi punues do të jetë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), ministri i Mbrojtjes, ministri i Punëve të Brendshme dhe ministrja e Drejtësisë do të jenë anëtar të këtij grupi. Gjithashtu anëtarë do të jenë edhe një përfaqësues i lartë nga Zyra e Presidencës dhe një nga Zyra e Kryeministrit, përfaqësuesi i Kosovës për marrëdhëniet me NATO-n nga ambasada e Kosovës në Bruksel dhe ambasadori i Kosovës në SHBA.