Agim Sulaj
09 Mars 2022•Përditësim: 09 Mars 2022
Në sheshin "Zahir Pajaziti" në Prishtinë është hapur panairi me produkte të ndryshme bio-organike, pemëve e perimeve, të kultivuara nga gratë në agrobiznes, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë panair, i cili u hap në kuadër të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Gjithëpërfshirës Ekonomik Rural (SIRED) të Caritas-it zviceran, kanë ekspozuar produktet e tyre 12 gra në agrobiznes.
Sekretari i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerim Hasani, tha se ka rritje të theksuar të shumave të subvencionimit në bujqësi. Ai theksoi se pjesë e kësaj rritje janë edhe produktet e kulturave që po promovohen në këtë panair.
Hasani theksoi se avancimi i politikave në fushën e bujqësisë gjithashtu është njëri nga angazhimet e ministrisë.
"Kemi aprovuar strategjinë për zhvillim të bujqësisë. Kemi sponsorizuar ligjin për zhvillim të bujqësisë i cili është aprovuar në Qeveri dhe ka kaluar në Kuvend. Përmes këtij ligji i kemi dhënë prioritet aktiviteteve promovuese të produkteve tona bujqësore", theksoi Hasani.
Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, e cila gjithashtu e përkrah këtë projekt, bëri thirrje që të blihen produktet e këtij panairi.
Ajo tha se gjatë vitit 2021 në kuadër të projektit të njëjtë janë ndihmuar rreth 19 agrobiznese prej të cilave 11 kanë qenë të udhëhequra nga gratë.
"Investimi i Komunës së Prishtinës është në vlerë prej 1,5 milion euro në këto tre vite të këtij projekti. Dhe, kjo sigurisht e tregon edhe prioritetin që Komuna e Prishtinës e ka për këtë sektor, rrjedhimisht, fuqizimin e agrobizneseve dhe forcimin e pozitës së prodhuesve lokal në veçanti në punësimin e grave", theksoi Sahatçiu.
Në këtë panair u shpalos edhe logoja e fushatës "Nga ne për ju", për mbështetje të agrobizneseve të grave, në kuadër të projektit SIRED.
Caritas-i Zviceran (CaCH) është duke zbatuar projektin SIRED, i financuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADC) dhe nga Komuna e Prishtinës, bashkë me tetë komuna të tjera për disa vite me radhë.