Agim Sulaj
07 Qershor 2019•Përditësim: 08 Qershor 2019
Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) ka lansuar sot raportin “Indeksi i Politikës së Ndërmarrjeve të Vogla dhe Mesme: Ballkani Perëndimor dhe Turqia 2019”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ngjarjen e cila zhvillohet për herë të pestë në Kosovë në bashkëpunim me Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, tha se kjo organizatë ka vlerësuar se Kosova është ndër vendet që ka bërë përparim të madh në implementimin e aktit të biznesit të vogël.
Ministri Shala tha në takim se zhvillimi i biznesit të vogël dhe të mesëm është boshti dhe shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik për Kosovën.
“Duke parë hapat e zhvillimit të hovshëm ekonomik dhe adoptimin e kërkesave të vazhdueshme për rritje të ndërmarrësisë, ne kemi iniciuar një sërë masash që ndikojnë në mënyrë graduale të zhvillimit të ndërmarrësisë, e ato janë: Përmirësimi i qasjes në financa përmes fondit për garantim të kredive për ndërmarrjet kosovare; Kemi filluar implementimin e programit mbështetës nga Banka Botërore për përmirësimin dhe certifikimin e produkteve kosovare me standarde evropiane dhe po ashtu me rritjen kualitetit të tyre, e gjithë kjo për t’i ndërkombëtarizuar ato dhe për t’i bërë më të konkurrueshme në tregun evropian”, tha Shala.
Nga Zyra e BE-së, Rikardo Serri, tha se bizneset e vogla dhe të mesme janë shumë të rëndësishme për BE-në, por edhe për Kosovën, ngase ato sjellin 75 për qind të punësimit në Kosovë.
“Kjo është ajo për të cilën ne jemi këtu. Për t’ju mbështetur ju. Për të mbështetur këtë projekt për shkak se ne besojmë shumë se analizat dhe rekomandimet e ofruara nga indeksi i politikave do të sjellin të zvogëlim të kostove të bizneseve, përmirësim të konkurrueshmërisë. Kosova ka nevojë për ekonomi të lirë”, tha Serri.
Udhëheqësja e Divizionit të Evropës Juglindore, Marzena Kisielewska, tha se reformat në këtë sektor janë zhvilluar me efikasitet. Ajo tha se Kosova por edhe vendet e rajonit duhet të ndihen krenarë për progresin e shënuar por edhe duhet të punojnë më shumë në të ardhmen.
Roli kryesor i OECD-së është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve anëtare, liberalizimi i këmbimit dhe qarkullimit të lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve duke eliminuar barrierat në mënyrë graduale si dhe ndihma për zhvillim ekonomik jo vetëm të vendeve anëtare por edhe të vendeve në zhvillim të cilat nuk janë anëtare e kësaj organizate.