Dzihat Aliju
26 Maj 2019•Përditësim: 27 Maj 2019
Sot në Shkup u realizua moduli i katërt dhe i fundit i Seminareve për Edukim Special i organizuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktivitetin e organizuar në bashkëpunim me Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) dhe Shtëpinë e Shëndetit Shkup në kampusin e IBU-së, morën pjesë një numër i madh të ftuarish.
Në këtë modul të Seminareve për Edukim Special, Ayten Düzkantar, ligjëruese në Universitetin Anadolu në Turqi, realizoi prezanimin me temë "Zhvillimi dhe edukimi seksual", kurse Funda Acarlar nga Universiteti Hasan Kalyoncu prezantoi punimin me temë "Teoria e Mendjes".
Në një prononcim për gazetarët, profesoresha Acarlar, e cila prej rreth 30 vitesh vepron në fushën e edukimit special, tha se merret kryesisht me zhvillimin gjuhësor dhe defektet gjuhësore si një nga aftësitë e nevojshme për fëmijet me nevoja të posaçme.
Ajo tha se gjatë prezantimit të saj në kuadër të seminarit do të flasë mbi Teorinë e Mendjes si një nga aftësitë e lidhura me defektet gjuhësore.
"Audiencën do ta informoj lidhur me zhvillimin e aftësive të Teorisë së Mendjes te fëmijët që shfaqin zhvillim normal, karakteristikat që shfaqin te fëmijët me çrregullim të spektrit të autizmit dhe një vlerësim të shkurtër mbi këtë", tha Acarlar.

Acarlar vuri në dukje se në shumë vende të botës, sidomos ekspertët që punojnë në fushën e edukimit special, duhet të rifreskojnë veten me informacione të reja, ndërsa tha se mendon se ky projekt i TIKA-s ka një funksion të rëndësishëm për të përmbushur këtë kërkesë dhe duhet të vazhdojë në baza të rregullta.
Ndërkaq, Düzkantar theksoi se Instituti për Studime të Personave të Hendikepuar pranë Universitetit Anadolu është instituti i vetëm në këtë fushë në Turqi, duke shtuar se ajo tashmë 30 vjet përpiqet të prodhojë hulumtime dhe shërbime në fushën e personave me aftësi të kufizuara.
Ajo tha se tema që do ta trajtojë gjatë seminarit është temë e re edhe në Turqi.
"Edukimi seksual dhe edukimi për mbrojtje nga ngacmimi. Sepse, sidomos fëmijët me aftësi të kufizuara dhe grupi autistik brenda tyre, bëhen shënjestër shumë lehtë pasi nuk e dinë se çfarë u bëhet në raste ngacmimesh", theksoi Düzkantar.
"Po ashtu, edhe fëmijëve normalë nuk u japim edukim seksual të shëndetshëm. Andaj, do të përpiqemi të shpjegojmë mbrojtjen nga ngacmimi duke u mbështetur në zhvillimin seksual, edukimin seksual dhe në veçanti në mësimet mbi aftësitë e privatësisë", shtoi Düzkantar.
Duke folur edhe mbi rëndësinë e këtij projekti të TIKA-s, ajo potencoi se në rajon ka një metodë e re mësimi që po shfaqet, në të cilën, siç tha ajo, TIKA ka funskionin e një ure.
Programi përbëhej nga katër module, prej të cilëve i pari filloi më 24 shkurt, ndërsa në fund të tij, për pjesëmarrësit do të bëhet ndarja e certifikatave.