Agim Sulaj
07 Nëntor 2023•Përditësim: 08 Nëntor 2023
Përfaqësuesit e partive opozitare parlamentare të Kosovës janë takuar me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Zyrën e BE-së në Prishtinë, raporton Anadolu.
Në takimin e thirrur nga Lajçak, i cili zgjati më shumë se një orë, morën pjesë kryetari i partisë më të madhe opozitare Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
Pas takimit, emisari Lajçak shkroi në rrjetet sociale se pati “një ditë produktive me shkëmbime të mira në Kosovë mbi zhvillimet e fundit për dialogun Kosovë-Serbi dhe rrugën përpara”.
Kreu i partisë më të madhe opozitare, Memli Krasniqi, tha se takimi me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ishte informues për hapat që ka ndërmarrë BE-ja.
Ai tha se Lajçak ka shprehur qëndrimin e BE-së dhe përfaqësuesve të tjerë se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i cili i është propozuar Qeverisë së Kosovës, është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Në fund të fundit, është e pamjaftueshme të thuhet se ky draft është apo nuk është në pajtim me Kushtetutën pa i lexuar nga një perspektivë edhe e ekspertizës kushtetuese të gjitha nenet dhe tekstin integral të marrëveshjes. Po ashtu kam kërkuar nga Lajçak atë që e kam kërkuar më herët edhe në Bruksel, në Francë dhe në çdo takim tjetër që sa më parë Kosovës t’i hiqen sanksionet nga ana e BE-së sepse konsideroj që nuk është një qasje e drejtë, aq më shumë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit”, theksoi Krasniqi.
Lutfi Haziri nga LDK tha se në takim me Lajçakun konfirmoi angazhimin e LDK-së që dialogu nuk ka opsion dhe “është e vetmja rrugë për zgjidhjen e të gjitha problemeve me fqinjin verior, Serbinë”.
Haziri po ashtu tha se në takim nënvizoi nevojën e largimit të masave të BE-së të vendosura ndaj Kosovës.
“Nuk folëm specifikisht për vonesën e publikimit të draft-statutit të Asociacionit, sepse është detyrë e kryeministrit të Kosovës të japë shpjegime. Ka rregulla dialogu, veçanërisht kur është në fazën e negocimit, por nuk po shohim që po zhvillohen negociata, palët në këtë proces po ofrojnë vetëm komente në dokument dhe komentet e tyre nuk po negociohen”, theksoi Haziri.
Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se në takim me emisarin e BE-së kanë pasur mundësi ta lexojnë në tërësi dokumentin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“E kemi lexuar draftin në tërësi. Drafti i shpjegon të gjitha mundësitë që Asociacioni u jep qytetarëve në këto komuna. Çdo herë u referohet ligjeve dhe Kushtetutës. Komentet se a pajtohemi me këtë draft do të bëhen pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese”, ka deklaruar ai pas takimit me Lajçakun.
Ditën e djeshme Lajçak takoi edhe zv/kryeministrin Besnik Bislimi me të cilin diskutuan në lidhje me “të gjitha aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit”.
Lajçaku erdhi në Prishtinë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor, ku kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan ndaras me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, si dhe zyrtarë të tjerë të BE-së.
Para atyre takimeve, pesë emisarët perëndimorë në krye me Lajçakun vizituan Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor, ku ua prezantuan Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin, për të cilin thonë se është model modern evropian, por përmbajtja e të cilit nuk është bërë publike ende.