Bojana Stojanovic
25 Korrik 2021•Përditësim: 27 Korrik 2021
Shoferi i autobusit që po drejtonte mjetin në kohën e aksidentit që ndodhi në autostradën afër Slavonski Brod në Kroaci u arrestua, tha zëvendës prokurori komunal i shtetit, Slavko Pranjiq, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai tha se sipas fakteve të vërtetuara deri më tani, autobusi doli jashtë rrugës. Autobusi po udhëtonte në relacionin Frankfurt-Prishtinë, i transportuesit "Deva Tours" me seli në Prishtinë.
"Shoferi i autobusit u gjet në vendin e ngjarjes, ndërkohë ai u arrestua. Është kryer një hetim dhe po ndërmerren veprime për prova tjera për të filluar procedimin penal. Ai u arrestua nën dyshimin e drejtimit të mjetit në mënyrë që ai nuk e përdori shiritin e trafikut. Shoferi tha se e zuri gjumi për një moment", tha Pranjiq.
Kujtojmë se në një aksident trafiku që ndodhi mëngjesin e sotëm në autostradën tek Slavonski Brod në Kroaci humbën jetën 10 persona në autobusin me targa të Kosovës.
Ndërkohë në spitalin në Slavonski Brod janë pranuar 45 persona të cilët kërkuan ndihmë mjekësore pas aksidentit të rëndë. Prej tyre, sipas autoriteteve kroate, 8 janë në gjendje të rëndë