Fatjon Cuka
05 Mars 2019•Përditësim: 06 Mars 2019
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, është takuar sot me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, i cili po realizon një vizitë zyrtare në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Takimi është mbajtur i mbyllur për mediat, ndërsa në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se gjatë takimit Ruçi dhe Pahor diskutuan mbi rolin e dy vendeve në zhvillimet rajonale, mbështetjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe zhvillimet e fundit në Shqipëri.
“Ruçi i shprehu presidentit Pahor mirënjohjen për mbështetjen e Sllovenisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë si edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer politik midis të dy vendeve. Ky nivel duhet të ndiqet edhe nga bashkëpunimi në fushën ekonomike e tregtare”, thuhet në njoftim.
Duke folur rreth situatës së fundit politike në Shqipëri, Ruçi ka theksuar se pretendimet e opozitës për ilegjitimitetin e Kuvendit dhe mungesën e hapësirave demokratike për të ushtruar përgjegjësitë e saj parlamentare nuk qëndrojnë.
Gjithashtu theksohet se presidenti slloven gjatë takimit është shprehur se gjatë ushtrimit të funksioneve të larta shtetërore ka mbështetur fuqimisht zgjerimin e bashkëpunimit me Shqipërinë.
“Kryetari Ruçi dhe presidenti Pahor diskutuan edhe mbi nevojën e përshpejtimit të reformave, sidomos reformës në drejtësi dhe ngritjen sa më të shpejtë të organeve të reja të qeverisjes së sistemit, mbi rolin e Shqipërisë dhe të Sllovenisë në zhvillimet rajonale, mbështetjen e dialogut Kosovë-Serbi për të forcuar bashkëpunimin midis të dy vendeve dhe ndihmuar stabilitetin në rajon, duke pasur mbështetjen dhe certifikimin e partnerëve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, theksohet më tej në njoftimin nga Kuvendi i Shqipërisë.
Gjatë ditës së djeshme, Pahor u takua me homologun e tij, Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe liderin e opozitës dhe njëkohësisht kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë(PD), Lulzim Basha.
Presidenti slloven do të realizojë një vizitë edhe në qytetin e Krujës.