Agim Sulaj
26 Shkurt 2023•Përditësim: 27 Shkurt 2023
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar letër të përbashkët nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, lidhur me takimin e së hënës në Bruksel dhe propozimin evropian, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në këtë letër ata kanë mirëpritur deklarimet publike të Kurtit sa i përket konfirmimit se pala kosovare është e gatshme ta pranojë propozimit evropian për "marrëveshje bazë".
"Presidenti Macron, kancelari Scholz dhe kryeministrja Meloni janë shprehur të bindur se konkludimi dhe zbatimi i propozimit evropian është me rëndësi thelbësore për përfitimin e përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për paqen dhe zhvillimin prosperues të rajonit dhe për përparimin e perspektivës evropiane të vendit", thuhet në letrën e publikuar nga Zyra e Kryeministrit.
Në letrën e përbashkët të treshes është kërkuar edhe implementimi i obligimeve të marra nga palët në dialog, përfshirë edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
"Ne besojmë se tash është nevojë urgjente për të krijuar rrugën para me synim për të konkluduar këtë marrëveshje dhe të siguroheni implementimin mbi bazat e tekstit që jeni pajtuar. Në konkludimet e veta më 9 shkurt, Këshilli Evropian ka shprehur përkrahjen për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe në të njëjtën kohë u ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës ta implementojnë, plotësisht dhe pa kushte, obligimet e marra në dialog, përfshirë edhe marrëveshjet nga vitet 2013 dhe 2015 për krijimin e një Asociacioni/Komuniteti të komunave me shumicë serbe", thuhet në këtë letër.
Më tej bëhet e ditur se tre liderët evropianë konsiderojnë “marrëveshja bazë” dhe obligimet e mbetura nga dialogu të adresohen në mënyrë adekuate dhe pa vonesa.
"Ne llogarisim në lidershipin e juaj që në mënyrë konstruktive të përpiqeni për një zgjidhje të shpejtë dhe implementim të kësaj marrëveshje. Ne jemi të bindur se është e rëndësisë së madhe për përfitimet e përgjithshme për qytetarët e juaj, për një zhvillim paqësor dhe prosperues të rajonit dhe për avancim të perspektivës evropiane të shtetit tënd", përfundon letra.
Më 27 shkurt në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të zhvillojnë takim ku do të diskutohet plani evropian i njohur edhe si propozimi franko-gjerman.
Kryeministri Kurti ka deklaruar se në esencë e ka pranuar planin evropian përpos pikës së formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe si kërkesë në kuadër të implementimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura midis Kosovës dhe Serbisë në procesin e dialogut.
Kurti ka radhitur në fillim të muajit shkurt gjashtë kushte të cilat duhet të plotësohen në mënyrë që më pas të diskutohet formimi i Asociacionit, përfshirë atë që ai duhet të jetë në korniza të Kushtetutës së Kosovës dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive.