Sibel Vezaj
29 Dhjetor 2016•Përditësim: 30 Dhjetor 2016
PRISHTINË (AA) - Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka zhvilluar një bisedë telefonike me drejtoreshën për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në BE, Angelina Eichhorst, të cilën e ka njoftuar hollësisht në lidhje me tentativën për sulm kundër zyrave të Qeverisë së Kosovës. Kujtojmë se në afërsi të objektit të Qeverisë së Kosovës të inauguruar dje në veri të Mitrovicës, është hedhur një granatë dore, e cila nuk ka shpërthyer, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës bëhet e ditur se me këtë rast ministrja Tahiri ka shprehur qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se me këto akte të përdorimit të bombave dhe mureve, Serbia po pengon zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe cenimin e dialogut për fqinjësi të mirë mes dy shteteve, duke theksuar se këto janë kundër një paqe të qëndrueshme në rajon.
Ajo po ashtu ka theksuar se obstruksionet e Serbisë janë duke u përshkallëzuar dhe rrezikuar destabilizimin e situatës, të cilën, sipas saj, institucionet e shtetit të Kosovës nuk do ta lejojnë në asnjë mënyrë.
“Ministrja Tahiri ka theksuar se inaugurimi i objektit të Qeverisë së Kosovës në veri të Mitrovicës bazohet në marrëveshjen e Brukselit të nënshkruar nga dy shtetet dhe Bashkimi Evropian në mars të vitit 2015, në të cilin kanë filluar punën mbi njëzet institucione qendrore të cilat kanë punësuar pjesëtarë të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në institucionet e Republikës së Kosovës. Ministrja Tahiri ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që urgjentisht dhe seriozisht të angazhohen, në mënyrë që Serbia t’i ndalë destruksionet dhe ti përmbushë obligimet e dialogut të Brukselit”, bën të ditur zyra e kryeministrit.
Ndërkaq, me këtë rast, Angelina Eichhorst ka shprehur shqetësimet e BE-së për këto zhvillime, sipas saj, negative dhe ka premtuar se BE-ja do të merret seriozisht me zgjidhjen e sa më të shpejt të këtyre çështjeve.