Husamedin Gina
21 korrik 2022•Përditësim: 22 korrik 2022
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiq tha se deri në nëntor të vitit 2023 duhet të përfundojë procesi i skriningut me Bashkimin Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).
Zv/kryeministri Mariçiq sot në konferencën për media prezantoi kornizën kohore për fillimin dhe mbarimin e procesit të skriningut me BE-në.
Duke theksuar se "de jure" dhe "de fakto" procesi i skriningut ka filluar para dy ditëve, më 19 korrik të vitit 2022 kur e mbajti konferencën e parë ndërqeveritare, Mariçiq tha se "kjo shënon etapën e fundit të rrugës sonë drejt anëtarësimit të plotfuqishëm në BE".
“Skriningu është prezantim analitik i gjendjes në vendin kandidat për anëtarësim në Union lidhur me shkallën e tij të harmonizimit me të drejtën e BE-së", theksoi Mariçiq.
Ai tha se skriningu është operacion formal dhe teknik që e bën Komisioni Evropian që është e domosdoshme dhe shumë e rëndësishme që të kemi pasqyrë të qartë se ku qëndrojmë dhe çka duhet bërë në vitet që vijnë.
“Ky proces, skriningu përbëhet prej dy fazave. Edhe atë në skrining sqarues, ku KE-ja shtetit kandidat i prezanton aktet kyçe private për çdo kapitull dhe skriningu bilateral ku vendi kandidat, gjegjësisht ne, prezantojmë shkallën e harmonizimit të legjislaturës nacionale, në pajtim me aktet e prezantuara të BE-së", potencoi Mariçiq.
Sipas tij, skriningu zhvillohet në nivel të klasterëve. Mariçiq tha se momentalisht ka 6 klasterë dhe se KE-ja planifikon që këtë proces ta përfundojë në nëntor të vitit 2023.
Ai shtoi se 45 për qind e legjislacionit të Maqedonisë së Veriut tashmë është harmonizuar me legjislacionin e BE-së.
Sipas paralajmërimit, siç theksoi zëvendëskryeministri, raporti i parë i skriningut për klasterin Vlerat themelore pritet në tremujorin e parë të vitit 2023, më saktë në fund të marsit 2023.
Zv/kryeministri Mariçiq po ashtu informoi se vetëm vitin e kaluar janë përkthyer mbi 17 mijë faqe të legjislacionit të BE-së.
Në pyetjen e gazetarëve se kur do të fillojë procedura e ndryshimeve kushtetuese, duke marrë parasysh faktin se ky është detyrimi që duhet bërë më së voni deri në fund të skriningut, Mariçiq tha se ende nuk kanë përcaktuar kalendar ose dinamikë për fillimin e ndryshimeve kushtetuese. "Detyrimi ynë është se duhet ta bëjmë deri në fund të skriningut", tha ai.