Agim Sulaj
22 Korrik 2022•Përditësim: 23 Korrik 2022
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri i është drejtuar me një fjalë rasti deputetëve të Kuvendit të Kosovës në prag të dorëzimit të detyrës së tij si president, raporton Anadolu Agency (AA).
Meta ka thënë se Kosovën dhe Shqipërinë e lidh gjithçka me njëra-tjetrën ndërsa shprehu dëshirë që marrëdhëniet midis dy vendeve të jenë vëllazërore dhe strategjike në mënyrën më kuptimplotë.
"Gjithçka e lidhë Shqipërinë me Kosovën, tërësia identitare, historia, gjuha, besimi, kulturat, traditat, zakonet, interesat dhe perspektiva evropiane dhe euroatlantike. Kjo lidhje e pandashme Shqipëri-Kosovë i ka rrënjët te gjaku i derdhur dhe sakrificat sublime të etërve të kombit dhe heronjve tanë më të lavdishëm", theksoi Meta.
Ai ka thënë se Shqipëria i "mbështet fuqimisht përpjekjet që edhe Kosova të jetë anëtare e NATO-s dhe se Shqipëria ka hapësirë për ta forcuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare".
Meta tha se Kosovës duhet t’i hiqet sa më parë regjimi i vizave nga Bashkimi Evropian (BE) dhe të binden shtetet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e saj, që ta bëjnë atë, derisa shtoi se procesi i dialogut të Kosovës me Serbinë duhet të shtyhet përpara deri në marrëveshjen me njohje reciproke.
"Të krenohemi për lirinë dhe pavarësinë, por, të qëndrojmë më vigjilentë ndaj rreziqeve të reja që na kanosen. Të krenohemi me vëllazërinë tonë por t’i shërbejmë gjithmonë me sinqeritet asaj. Historia na e jep çdo të drejtë të krenohemi me luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) por të kujdesemi që kjo luftë të vazhdojë të mbetet e panjollosur siç e meriton", tha Meta, duke shtuar se pafajësia e udhëheqësve që sot gjenden në Hagë do triumfojnë mbi çdo tentativë.
Presidenti shqiptar Meta tha se Kosova është gjithmonë e më shumë jo vetëm një faktor paqeje, sigurie, stabiliteti, por edhe demokratizimi dhe evropianizimi në rajon.
Presidenti i ri i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili u zgjodh president me shumicë të votave parlamentare pritet që ta zëvendësojë presidentin Meta nga 24 korriku.