Fatjon Cuka
05 Nëntor 2020•Përditësim: 05 Nëntor 2020
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar në lidhje me dorëheqjen e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke theksuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe heroike, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Vlerësoj aktin e dorëheqjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u ballafaquar me akuzat dhe besoj në pafajësinë e Tij e të gjithë bashkëluftëtarëve, sikundër është konfirmuar edhe në të kaluarën", ka shkuar Meta në reagimin e tij të publikuar në rrjetet sociale.
Meta thekson më tej se "Ky është një moment reflektimi për të forcuar më shumë bashkëpunimin dhe unitetin, në interesin më të mirë kombëtar".
Kujtojmë se sot Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë dorëheqje nga posti pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale për krime lufte me seli në Hagë të Holandës.
Në fund të qershorit, Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka paraqitur Dhomave të Specializuara aktakuzë ku presidenti Thaçi akuzohet "për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura" gjatë luftës së fundit në Kosovë.