Fatjon Cuka
06 tetor 2021•Përditësim: 06 tetor 2021
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka theksuar se mesazhet e sotme të Samitit BE-Ballkani Perëndimor janë inkurajuese, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një reagim në rrjetet sociale, Meta shkruan se perspektiva evropiane e rajonit jetësohet përmes reformave të besueshme, sipas tij, "në themel të të cilave qëndrojnë parimet dhe vlerat evropiane të demokracisë, të drejtave themelore dhe sundimit të ligjit".
"Mirënjohës për mbështetjen politike dhe ndihmën e gjithanshme, që Bashkimi Evropian vazhdon t’i japë Shqipërisë dhe gjithë rajonit tonë, si partner i parë dhe i natyrshëm ekonomik, duke qëndruar plotësisht të linjëzuar në qëllimin e përbashkët strategjik të zgjerimit. Plani Ekonomik i Investimeve dhe Agjenda e re për Inovacionin duhen shfrytëzuar maksimalisht për të rimëkëmbur ekonominë dhe frenuar shpopullimin e mëtejshëm dramatik të vendit", thekson Meta.
Presidenti i Shqipërisë thekson se bashkëpunimi rajonal duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të përqendrohet në zbatimin e zotimeve të ndërmarra.
"Duke përshëndetur Presidencën sllovene të BE-së dhe të gjitha vendet e tjera anëtare për zhvillimin e këtij Samiti të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, ripërsëris rëndësinë, që ka nisja e shpejtë e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe liberalizimi sa më parë i vizave me Kosovën, një premtim që kërkon zbatim urgjent", shkruan Meta.
Shqipëria në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Slloveni u përfaqësua nga kryeministri Edi Rama.