Adel Omeragic
13 Mars 2019•Përditësim: 14 Mars 2019
Gjyqi për të akuzuarit e përpjekjes së grusht shtetit në Mal të Zi në ditën e zgjedhjeve parlamentare më 16 tetor 2016, për të cilën sot pritej të dëgjohen fjalët përfundimtare, u ndërpre për shkak se avokatët mbrojtës dolën nga salla e Gjykatës së Lartë, raporton Anadolu Agency (AA).
Avokatët dolën nga seanca të pakënaqur pasiqë nuk u pranua propozimi i tyre për plotësimin e procedurës së provave. Për shkak të daljes nga salla pa lejen e gjykatësit, avokatët u dënuan me nga 1000 euro ndërsa seanca është caktuar për nesër në ora 9.
Në fillim të seancës së sotme, kryetarja e Këshillit gjyqësor, Suzana Mugosha ka thënë se avokatët mbrojtës Dushan Radosavljeviç dhe Miroje Jovanoviç, gjykatës i ofruan dëshmi të reja dhe propozim për ndryshimin e procedurës së provave.
Megjithatë, ajo sqaroi se procedura e provave kishte përfunduar dhe se provat do të konsideroheshin pas dëshmive përmbyllëse.
"Pas dorëzimit të argumenteve përmbyllëse do të kemi parasysh videon e paraqitur, e cila do t'i dorëzohet prokurorit të posaçëm të shtetit", tha Mugosa.
Avokatët mbrojtës, ishin kundër një propozimi të tillë nga Mugosha, duke argumentuar se një gjë e tillë ishte e pakuptimtë.
Një grup i shtetasve rusë dhe serbë, së bashku me krerët e partisë malazeze Fronti Demokrtik (DF) Andrija Mandiç dhe Milan Knezheviç, ngarkohen me akuzat se natën e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Mal të Zi më 16 tetor 2016, kishin planifikuar hyrjen në Kuvend, kapjen apo likuidimin e kryeministrit të atëhershëm Milo Gjukanoviç dhe ndryshimin me forcë të pushtetit, me qëllim që të pengojnë hyrjen e Malit të Zi në NATO.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale përfshin dy shtetas rusë, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, shtetasit serb Milosh Jovanoviç, Nemanja Ristiç, Predrag Bogiçeviç, Bratislav Dikiç, Kristina Hristiç, Branka Miliç, Milan Dushiç, Dragan Maksiç, Srboljub Gjorxheviç, si dhe tre shtetasit e Malit të Zi, udhëheqësit e FD-së Andrija Mandiç dhe Milan Knezheviç, si dhe shoferi zyrtar i FD-së, Mihajlo Çaxhenoviç.