"Zgjidhja e qëndrueshme për Kosovën, përmes dialogut"
"Sa i përket Kosovës, kemi përsëritur qëndrimin e Spanjës për mosnjohje dhe njëkohësisht vlerësojmë se vetëm përmes dialogut mund të arrihet ne një zgjidhje e qëndrueshme", tha ministri i Jashtëm spanjoll, BorrellBojana Stojanovic
13 Mars 2019•Përditësim: 14 Mars 2019
BeogradMinistri i Punëve të Jashtme të Spanjës, Josep Borrell, sot në Beograd ka deklaruar se vendi i tij vlerëson se vetëm përmes dialogut mund të arrihet në një zgjidhje të qëndrueshme kompromisi për çështjen e Kosovës, duke përsëritur se Spanja nuk e pranon Kosovën, raporton Anadolu Agency (AA).
“Sa i përket Kosovës, kemi përsëritur qëndrimin e Spanjës për mosnjohjen e Kosovës dhe njëkohësisht vlerësojmë se vetëm përmes dialogut mund të arrihet në një zgjidhje të qëndrueshme kompromisi”, tha Borrell në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç.
Ai ka thënë se Spanja beson në dialogun si zgjidhje, siç është vërtetuar me rastin e marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë.
Duke komentuar krahasimin e çështjeve të Kosovës dhe Katalonjës, ministri spanjoll tha se këto dy situata nuk kanë asgjë të përbashkët me njëra-tjetrën.
“Ajo çfarë ndodhi në Kosovë nuk ka lidhje me Katalonjën. Krahasimet e këtilla nuk kanë fare rëndësi”, tha Borrell.
Ai shtoi se Spanja mbështet edhe perspektivën evropiane të Serbisë.
“Gjithsesi që mbështesim dëshirën e Serbisë për t’iu bashkangjitur familjes evropiane, për të vazhduar me procesin qasës. Reformat tregojnë se Serbia avancon në këtë sferë dhe Spanja e mbështet që të vazhdojë në këtë drejtim”, tha Borrell.
Kryediplomati spanjoll tha se vizita e tij në Beograd shërben që Spanja të përsërisë përkushtimin e saj për paqe në Ballkan.
Duke folur për bashkëpunimin mes Serbisë dhe Spanjës, shefi i diplomacisë spanjolle vlerësoi se nevojitet shkëmbim më i madh kulturor, ekonomik dhe arsimor mes dy vendeve.
I pyetur për Brexit-in, Borrell tha se Brexit veçse është dashur të vendoset njëherë e përgjithmonë, ndërsa tani Evropa mund vetëm të pret dhe të shohë se çfarë mund të bëjë Parlamenti britanik.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Daçiç, raportet mes dy vendeve i vlerësoi si strategjike, të privilegjuara, miqësore dhe me tendencë të vazhdueshme për përmirësim.
“Dëshiroj që ta falënderoj Spanjën për mbështetjen e fuqishme për integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë dhe se është shumë e rëndësishme që Spanja si një vend i madh, vend anëtar në BE, nuk e ka pranuar aktin e njëanshëm të Prishtinës”, tha Daçiç.
Ai tha se Serbia kundërshton internacionalizimin e çështjes së Katalonjës.
“Nga ana tjetër, Serbia kundërshton procesin e internacionalizimit të çështjes së Katalonjës dhe nuk ka asnjë kontakt me separatistët katalonjas”, tha Daçiç.
Sipas vlerësimeve të tij, Serbia dhe Spanja kanë bashkëpunim shumë të mirë në organizatat ndërkombëtare dhe paralajmëroi se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Është shumë me rëndësi që raportet e mira politike të shoqërohen edhe me përmirësimin e raporteve ekonomike. Shkëmbimi tregtar është rreth gjysmë miliard euro, është më i lartë se sa ka qenë, por relativisht i ulët në raport me mundësitë”, tha Daçiç.
Ai ka përshëndetur vendimin për të vendosur linja të drejtpërdrejta të fluturimit Madrid-Beograd dhe Beograd-Barcelonë.
Daçiç ka komentuar edhe deklaratën e përfaqësueses së lartë të BE-së, Frederica Mogherini, e cila tha se zgjidhja e çështjes së Kosovës patjetër duhet të miratohet edhe nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), duke theksuar se KS-OKB duhet patjetër të verifikojë çfarëdo marrëveshje.
“Kjo nënkupton që për të ardhur deri te verifikimi, normalisht që para asaj anëtarët e Këshillit duhet të jenë të informuar. Kjo neve mund vetëm të na gëzojë, për shkak se Serbia i njofton të gjithë miqtë dhe aleatët për hapat e saj”, tha Daçiç.
Mirëpo, Daçiç ka thënë se për momentin fare nuk po negociohet dhe se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës gjendet është në vendnumëro, gjë që sipas tij, tregon se “përfaqësuesit e Prishtinës praktikisht nuk dëshirojnë kompromis dhe të gjitha bisedimet që i kemi zhvilluar këto shtatë vite, i kemi zhvilluar për kot”.
“Fakti që ata kanë miratuar platformën, atë mund ta vendosin në muret e Kuvendit si një gazetë muri apo njoftim të brendshëm. Nuk e di nëse ata sigurt mendojnë se ne do të bisedojmë në lidhje me atë”, tha Daçiç.
Ai shtoi se Prishtina “ashtu mund të luajë me dikë tjetër, por jo me Serbinë”. “Serbia ka platformë, Kosova është autonomi në suaza të Serbisë dhe kjo platformë është miratuar që moti. Ata nuk dëshirojnë kompromis, ana dëshirojnë të marrin gjithçka, madje edhe më shumë”, tha Daçiç.
I pyetur rreth paralajmërimeve për intervenim të mundshëm të ushtrisë kosovare në veri të Kosovës, shefi i diplomacisë serbe tha se çdo intervenim ushtarak në veri të Kosovës i cili shkel marrëveshjen me NATO-n dhe KFOR-in të arritur në Bruksel, do të shkaktojë reagim të qartë të Serbisë. “Të gjithë e dinë mirë se nuk mund të luhen lojëra luftarake dhe të mendojnë se Serbia nuk do të reagojë”, tha Daçiç, duke bërë thirrje që të mos provokohet Serbia, por njëkohësisht theksoi se Serbia nuk do të provokojë dhe nuk do të jetë pjesë e problemeve.
Shefi i diplomacisë spanjolle, Borrell, gjatë qëndrimit në Beograd është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç ndërsa do të takojë edhe kryeministren Ana Brnabiç.