Agim Sulaj
08 Mars 2021•Përditësim: 08 Mars 2021
Qindra qytetarë të organizuar nga kolektivi “Marshojmë S’festojmë” kanë marshuar nëpër rrugë të kryeqytetit dhe janë ndalur para Qeverisë së Kosovës në emër të të drejtave dhe barazisë për gratë në shoqëri në Ditën Ndërkombëtare të Gruas - 8 Marsin, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë marsh i cili zgjati rreth 1 orë, morën pjesë edhe ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe fituesi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt, Albin Kurti.
Trina Binaku, nga kolektivi “Marshojmë S’Festojmë” thotë se tema e sivjetme e këtij marshi ka qenë kundërshtimi i vrasjes së grave.
Prishtinë, qindra qytetarë marshojnë për të drejtat e grave
Ajo tha se ky marsh ka pasur 3 thirrje kryesore “Vrasja e grave është politike”, “Patriarkati vret” dhe “Edhe sa thirrje të humbura”, të cilat u brohoritën gjatë marshit, duke shtuar se me këto thirrje kërkojnë drejtësi.
“Me këto tri thirrje kemi dashur të vetëdijesojmë shoqërinë për çështjen e vrasjes së grave, në të njëjtën kohë të kërkojmë drejtësi nga shteti kosovar që ka qenë ‘legjitimues’ i këtyre krimeve duke mos i ndëshkuar kryerësit e krimeve. Përtej kësaj dëshirojmë të kundërshtojmë sistemin patriarkal i cili jo vetëm për 8 mars por çdo ditë i shtypë dhe vret gratë”, theksoi Binaku.
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili edhe është shpallur fitues i zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, theksoi se është e domosdoshme të ngritet zëri për gratë të cilat janë viktima, duke shtuar se për këtë çështje duhet të punohet në nivel institucional dhe si shoqëri.
“Gratë edhe vajzat e vuajnë papunësinë më të madhe, e vuajnë varfërinë më të madhe. E vuajnë më së shumti kur një anëtar i familjes nuk e ka shëndetin e mirë, andaj edhe sistemi shëndetësor, arsimor dhe vendet e punës, nuk kanë kuptim nëse nuk e kanë gruan dhe vajzën kosovare në fokus”, theksoi Kurti.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, vitin e kaluar janë vrarë gjashtë gra, ndërsa të dhënat thonë se dhuna në familje është rritur dukshëm për shkak të izolimit që solli pandemia e koronavirusit COVID-19.