Stipe Majic
10 Mars 2021•Përditësim: 11 Mars 2021
Organizuar nga "Documenta" - Qendra për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Platforma "Crosol" për Solidaritetin Civil Ndërkombëtar në Kroaci, ekspertë nga vendet post-jugosllave zhvilluan një diskutim online me temën: "Ballafaqimi me të Kaluarën dhe Tranzicioni i Drejtësisë në Ballkanin Perëndimor", raporton Anadolu Agency (AA).
Vesna Tersheliç nga "Documenta" tha se ky debat bazohet në kërkesat e Deklaratës së më shumë se 90 organizatave të shoqërisë civile të Ballkanit Perëndimor me titull: "Me ose pa Bashkimin Evropian?" themeluar në maj të vitit 2020 gjatë samitit në Zagreb të mbajtur si pjesë e presidencës kroate të Këshillit të BE-së me synimin për krijimin e një ure me presidencën e ardhshme sllovene të Këshillit të BE-së, e cila fillon më 1 korrik të këtij viti.
Ajo theksoi se qytetarët e Ballkanit Perëndimor, të gjashtë vendet që bien nën këtë term, presin zgjerimin e BE-së.
"Pas 25 vjetësh, ka më shumë se 600 raste të pazgjidhura të krimeve të luftës në Bosnjë e Hercegovinë, që është e kuptueshme sepse krimet në BeH ishin më të mëdhatë, mbi 100 mijë njerëz u vranë ose u zhdukën. Sipas të dhënave të OSBE-së, deri më 31 dhjetor 2018, 490 çështje të krimeve të luftës janë proceduar, prokuroria e BeH-së ka paditur mbi 900 persona nga e gjithë BeH duke i dënuar me mbi 3.200 vite burg. Zyra e Prokurorit të BeH-së është më e shkathët nga të gjitha prokuroritë post-jugosllave, por është ende larg nga ajo që publiku pret", tha Tersheliç.
Nerzuk Çurak, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës, theksoi rëndësinë e trajtimit të problemit të mohimit të gjenocidit dhe krimeve të luftës.
"Pengesa kryesore për zhvillimin e kulturës, shoqërisë dhe ekonomisë së Bosnjë e Hercegovinës si dhe zhvillimin pozitiv dhe paqësor të vendeve në rajon lidhet me ballafaqimin me të kaluarën. Kultura e papërgjegjshme e kujtesës e prodhuar nga elitat politike etno-shoviniste dhe etno-nacionaliste në BeH zbatojnë narracione të reja të armiqësisë", tha Çurak.
Ai potencoi ndikimin e keq të mohimit të Tribunalit të Hagës dhe vendimeve të tij, të cilat, për mendimin e tij, nuk çuan në ndryshimin e qëndrimit ndaj kriminelëve të luftës, si në BeH, ashtu edhe në Kroacinë dhe Serbinë fqinje.
Tea Gorjanc Preleviç, e cila merret me temën e trajtimit të së kaluarës në Mal të Zi tha se procedimi i krimeve të luftës në BeH është një nga arsyet e rëndësishme pse Bashkimi Evropian duhet t'i japë ndonjë vendi statusin e kandidatit për anëtarësim.
"Në politikën e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, procesi i pajtimit figuron si një faktor i rëndësishëm", tha Preleviç, duke shtuar se ajo gjithashtu mbështet statusin e kandidatit të vendeve të tjera në rajon.
Ajo tha se ndjekja penale e krimeve të luftës është prova më e mirë për sundimin e ligjit në këto vende.
Drejtori i Qendrës për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj tha se është bërë përparim politik në Kosovë dhe se ai pret që dialogu me Serbinë të vendoset lart në listën e prioriteteve të Qeverisë së ardhshme të Kosovës përmes vendosjes së bashkëpunimit midis zyrave të prokurorëve të krimeve të luftës.
Ai theksoi se gjithsej 54 raste të krimeve të luftës janë proceduar në Kosovë deri më tani dhe se janë paditur 116 persona, 41 prej tyre u liruan për shkak të mungesës së provave, 41 persona u dënuan ndërkaq të pandehurit e tjerë ende janë në gjyq.
Marko Milosavljeviç nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi tha se sipas një ankete të zhvilluar në Serbi, 75 për qind e popullsisë nuk di për ekzistencën e Gjykatës Speciale për Kosovën dhe se vetëm 14 nga mbi 1.200 të anketuar dinë për ekzistimin e kampeve në territorin e Serbisë.
"Nuk ka sanksion të qartë në rajon për relativizimin dhe mohimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit, veçanërisht në Serbi. Në Serbi, jo vetëm që është në fuqi kultura e mohimit, por edhe liria e mohimit të gjenocidit, veçanërisht në Srebrenicë, por edhe kultura e mohimit të krimeve të tjera”, tha Milosavljeviç.
Pjesëmarrësit e konferencës janë anëtarë të Nismës për KOMRA dhe Rrjetit të Pajtimit KOMRA (REKOM), i cili bashkon një rrjet prej mbi 2.200 organizatash joqeveritare në vendet që dolën nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë.