Andelija Stojkovic
16 Mars 2022•Përditësim: 17 Mars 2022
Lëvizja e grave kundër luftës "Gratë në të zeza" mbajti sot një protestë në qendër të Beogradit dhe një aksion heshtjeje "Ndal luftën në Ukrainë" për të shprehur respektin dhe solidaritetin më të thellë ndaj aktivisteve feministe në të gjithë Rusinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Aktivistët dhe aktivistet mbanin pankarta me mbishkrimet "Ne mbështesim feministet ruse", "Ndal pushtimin e Ukrainës", "Larg duart e Putinit nga Ukraina", "Ndaloni agresionin rus kundër Ukrainës", "Ndaloni luftën në Ukrainë" dhe "Gratë në të zeza kundër luftës".
Lëvizja "Gratë në të zeza" kërkon ndërprerje të menjëhershme të të gjitha operacioneve ushtarake dhe tërheqjen e trupave pushtuese ruse nga Ukraina, bisedime efikase të paqes dhe ndërprerjen e të gjitha operacioneve ushtarake për t'i dhënë fund vuajtjeve të civilëve, shkatërrimin e qyteteve dhe shkatërrimin e infrastrukturës civile.
Organizata kërkon hetim para Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për agresion, krime kundër paqes, krime të trupave pushtuese ruse kundër civilëve në Ukrainë.
"Gratë në të zeza" kërkon që shteti i Serbisë t'i përmbahet ndalimit ligjor për pjesëmarrjen e vullnetarëve serbë në fushat e betejës në Ukrainë, veçanërisht duke pasur parasysh qëndrimin dashamirës të gjyqësorit ndaj vullnetarëve serbë në anën pro-ruse, vazhdimin e sanksioneve të BE-së kundër regjimit të Putinit, oligarkëve rusë, militaristëve dhe të gjithë atyre që mbështesin pushtimin e Ukrainës.