Agim Sulaj
06 Maj 2019•Përditësim: 07 Maj 2019
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) në një konferencë për media sot prezantoi rezultatet e klimës së biznesit në Kosovë për tremujorin e parë të vitit 2019, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas kryetarit të OEK-ut, Berat Rukiqi, tendenca pozitive ka ndodhur edhe për arsye se në këtë periudhë ka pasur festa dhe janë rritur shitjet.
"Në 465 biznese, 86 për qind e vlerësojnë gjendjen e tyre te mirë dhe të kënaqshme ndërsa 14 për qind jo. Nëse shikohet trendi, është një trend pozitiv. Normalisht kjo është reflektim i një periudhe kohore pas festave, që zakonisht edhe reflekton në rritje të shitjeve dhe aktivitetit biznesor. Nëse i shohim rritjet për punësim, 44 për qind e kompanive presin që të rrisin punësimin”, tha Rukiqi.
Ai ka prezantuar edhe një studim të bërë në nivel rajonal që e bën krahasimin e potencialit për eksporte, sidomos të produkteve bujqësore të rajonit. Ky studim tregon se bizneset kanë potencial për të eksportuar, por kanë si pengesë certifikatat ndërkombëtare.
Rukiqi thotë se 21 për qind e shoqërisë as nuk kanë informacionet e nevojshme lidhur me procedurat për të eksportuar mallra jashtë vendit.
“26 për qind e kompanive e konsiderojnë çështjen e financave si një barrierë në biznes. Në përgjithësi shohim që një ndër çështjet kryesore është mungesa e certifikimit ndërkombëtar, 42 për qind nga kompanitë nuk kanë provuar të eksportojnë por konsiderojnë që kanë një potencial të tillë. Ne besojmë që mundësitë për t’u rritur dhe për t’u zhvilluar kompanitë tona janë nëse rritet potenciali për eksport”, ka thënë ai.
Kujtojmë se kompanitë kosovare që eksportojnë mallra, 35 për qind i eksportojnë në vendet e rajonit, në vendet anëtare të CEFTA-s si dhe në shtete të BE-së si: Austri, Gjermani, Slloveni, Bullgari e të tjera.