Fatjon Cuka
22 Maj 2024•Përditësim: 22 Maj 2024
Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, ka mbërritur në Shqipëri, në kuadër të vizitës zyrtare në vend, transmeton Anadolu.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës "Nënë Tereza”, Cameron është pritur nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, dhe përfaqësues të Ambasadës së Britanisë në Shqipëri.
“Kënaqësi të mirëprisja në Tiranë Sekretarin e Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për Çështjet e Jashtme, Komonuelthin dhe Zhvillimin, Lord David Cameron”, ka shkruar ministri Hasani në rrjetet sociale.
Hasani ka theksuar se në kuadër të kërcënimeve aktuale për sigurinë evropiane, ruajtja e unitetit euroatlantik është thelbësore, duke përfshirë, sipas tij, forcimin e mbështetjes për Ukrainën dhe adresimin e sfidave për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Cameron do të takohet edhe me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe Kryeministrin Edi Rama.