Husamedin Gina
14 Nëntor 2019•Përditësim: 15 Nëntor 2019
Ambasadorja e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut, Kate Byrnes, me rastin e dorëzimit të një donacioni në Shkup tha se “Maqedonia e Veriut së shpejti do të anëtarësohet në NATO”, raporton Anadolu Agency (AA).
Më tej ambasadorja Byrnes tha se ky donacion është një hap drejt përforcimit të bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit dhe parandalimit të përhapjes së ekstremizmit të dhunshëm i cili është i pranishëm në disa dekadat e fundit.
“Kjo është shumë me rëndësi sepse Maqedonia e Veriut së shpejti do të anëtarësohet në NATO. Partneriteti do të na shpie një hap më tej sepse do të jemi pjesë e Aleancës së njëjtë. Gjatë viti të kaluar ATA programi dhuroi më shumë se 2 milionë dollarë për detektimin më të mirë dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale terroriste”, theksoi ambasadorja Byrnes.
Duke theksuar se terroristët bëhen gjithnjë më rezistent dhe më kreativ dhe se vazhdimisht aftësohen në teknologji dhe inovacione të reja, Byrnes tha se kundërshtimi i këtyre terroristëve nuk është gjë e lehtë, sepse krimi kompjuterik nuk ka kufij dhe se na duhen partnerë që bashkarisht do të qëndrojnë në këtë luftë.
Nga ana tjetër zëvendës-ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Agim Nuhiu në Qendrën për trajnime në Idrizovë, pranoi donacionin për përdorim në pajisjet materialo-teknike më bashkëkohore, në vlerë prej 200 mijë dollarëve, dedikuar për më shumë njësi organizative të Ministrisë.
Duke u adresuar në ngjarjen, zv-ministri i Brendshëm, Nuhiu tha se donacioni, mes tjerash dedikohet për Sektorin e krimit kompjuterik, forenzikës digjitale dhe Sektorit për shkatërrimin e krimit të organizuar.
“Vlera e përgjithshme e donacionit në pajisje më bashkëkohore dhe mjete teknike arrin në 200 mijë dollarë, ndërsa si mbështetje shtesë të asaj që më herët e theksova, është edhe fakti se Qeveria amerikane vetëm përmes ATA Programit për luftë kundër terrorizmit na ka siguruar trajnime për rreth 600 pjesëtarë të policisë së Maqedonisë”, tha Nuhiu, duke shtuar se SHBA-të me forma të ndryshme të ndihmës dhe mbështetjes kanë investuar mbi 9.5 milionë dollarë në kapacitetin dhe mbindërtimin profesional të nëpunësve policorë.