Seyyid Emin
20 Dhjetor 2019•Përditësim: 21 Dhjetor 2019
Në organizim të Zyrës së Guvernatorit të provincës turke Samsun dhe Ambasadës së Turqisë, sot në Shkup u bë hapja e ekspozita mbi Luftën Kombëtare të Turqisë me titullin "Nga hapi i parë deri te themelimi", raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në Muzeun e Qytetit të Shkupit, që organizohet në kuadër të aktiviteteve me rastin e 100-vjetorit të ardhjes së Mustafa Kemal Ataturkut në Samsun, morën pjesë Kryekëshilltari i Presidencës së Turqisë, Ihsan Şener, zëvendësguvernatori i Samsunit, Ibrahim Avcı, zëvendësministri turk i Rinisë dhe Sportit, Ihsan Selim Baydaş, zëvendësshefi i Misionit të Ambasadës së Turqisë në Shkup, Umut Lütfi Oztürk, ministri pa resor i Maqedonisë së Veriut përgjegjës për Investime të Huaja, Elvin Hasan, deputeti i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP), Saffet Sancaklı, deputeti i Partisë së Lëvizjes Turke (THP), Enes İbrahim, drejtori i Institutit Yunus Emre në Shkup, Serhat Kula, presidenti i Lidhjes së Organizatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë (MATUSITEB), Hüsrev Emin, dhe shumë të ftuar.

Zëvendësguvernatori turk Avcı tha në një deklaratë për gazetarët se në ekspozitë bëjnë pjesë dokumente dhe fotografi që tregojnë mbështetjen e gruas turke gjatë luftës kombëtare të para 100 viteve.
Sipas tij, qëllimi është të shpjegohet lufta çlirimtare e Turqisë dhe t'u tregohet të rinjve rëndësia e saj.
"Siç e dini, Shkupi nuk është shumë i huaj për ne. E dimë se Yayha Kemal Beyatlı është poet edhe i Stambollit, edhe i Shkupit. Po ashtu, tharmi i lidershipit të prijësit të madh Mustafa Kemal Ataturk është zhvilluar në këto troje, andaj, këto lidhje na japin neve një sërë përgjegjësish. Kjo është arsyeja pse sot gjendemi këtu", tha Avcı, duke shtuar se ekspozita në fjalë më herët është realizuar edhe në Paris, Berlin, Qipro, dhe Bruksel.
Ndërkaq, zëvendësministri turk Baydaş tha se figurat që "ndezën shkëndijën" e luftës kombëtare 100 vjet më parë dhe arkitektët e kësaj lufte janë figura që janë zhvilluar në këto troje.
"Mustafa Kemal Ataturku buron prej këtu, në aspektin e prejardhjes dhe arsimit në Akademinë Ushtarake në Manastir", tha Baydaş.
Zëvendësshefi i Misionit të Ambasadës së Turqisë në Shkup, Oztürk, theksoi se ekspozita do të mundësojë që të kujtohen sakrificat e popullit të Turqisë i cili, siç tha ai, vazhdoi t'i kapërcejë të gjitha vështirësitë dhe ishte e i vendosur në rrugën për pavarësi.
Po ashtu, ministri pa resor i Maqedonisë së Veriut, Hasan, tha se Ataturku përbën shembull jo vetëm për Turqinë, por edhe për turqit në gjithë botën.
"Në saje të këtij evenimenti të organizuar nga Zyra e Guvernatorit të Samsunit u krijua një urë midis trojeve ku lindi dhe u edukua Mustafa Kemal Ataturku dhe Samsunit", theksoi Hasan.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 24 dhjetor.