Fatjon Cuka
03 Prill 2019•Përditësim: 04 Prill 2019
Partitë opozitare të Shqipërisë kanë mbajtur protestën e tyre të radhës në Tiranë, duke bërë thirrje për krijimin e një qeverie tranzitore, ndërsa disa herë është përfshirë edhe nga tensionet, raporton Anadolu Agency (AA).
Mbështetësit e opozitës nga kryeqyteti, por edhe nga qytetet e tjera të vendit kanë protestuar para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa protesta është organizuar nga Partia Demokratike(PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), me mbështetjen e partive të tjera opozitare.
Protesta është përfshirë nga përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa në drejtim të policisë janë hedhur tymuese dhe sende të ndryshme.
Në protestë kanë mbajtur fjalime përfaqësues të forumeve rinore të partive të opozitës dhe ish-deputetë opozitarë që dhanë dorëheqjen nga mandatet e tyre parlamentare, ndërsa ka munguar lideri i opozitës dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.
Në fund protestuesit kanë marshuar pranë Kryeministrisë së Shqipërisë, ndërsa protesta ka përfunduar me fjalimin e nënkryetarit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, para selisë së PD-së.
Edhe gjatë protestës së sotme u angazhuan qindra forca policore pranë selisë të Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministrisë së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera për të shmangur incidentet gjatë protestës.
Drejtuesit e partive opozitare iu kanë bërë thirrje mbështetësve të opozitës që të protestojnë sa herë mbahet seanca parlamentare, ndërsa edhe protestat e kaluara janë përfshirë nga tensionet dhe incidentet.
Njëkohësisht me protestën është mbajtur edhe seanca parlamentare, ku është diskutuar për veprimtarinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve(KQZ) gjatë vitit 2018, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit, Edi Rama.
Nga ana tjetër kryeministri Rama, kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa partia që ai drejton, Partia Socialiste e Shqipërisë ka filluar përgatitjet për zgjedhjet vendore që do të mbahen më 30 qershor 2019.
Partitë opozitare në Shqipëri që pas dorëzimit të mandatave parlamentare në muajin shkurt kanë organizuar disa protesta, ndërsa insistojnë në krijimin e një qeverie tranzitore që do të organizojë sipas tyre zgjedhjet e parakohshme.
Në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017, Partia Socialiste e Shqipërisë fitoi një mandat të dytë qeverisës.