Fatjon Cuka
09 nëntor 2023•Përditësim: 10 nëntor 2023
Tensionet në Kuvendin e Shqipërisë kanë vazhduar edhe në seancën e sotme, pasi deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren, raporton Anadolu.
Deputetët e partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe deputetë të tjerë opozitarë jashtë grupeve parlamentare, kanë bllokuar me karrige foltoren, ndërsa kanë hedhur edhe tymuese.
Në seancën e sotme ishte planifikuar të diskutohej për ndryshimet në Kodin Penal të Shqipërisë dhe disa projektligje tjera. Sipas Kuvendit, ndryshimet në Kodin Penal synojnë të rrisin mbrojtjen ligjore të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias.
Pas tensioneve, seanca e shkurtër u ndërpre pa përfunduar gjithë diskutimet mbi projektligjet.
Pas tensioneve dhe përplasjeve në seancat e datës 30 tetor dhe 2 nëntor, Kuvendi i Shqipërisë vendosi përjashtimin me 10 ditë nga punimet e parlamentit të 8 deputetëve të opozitës.
Seancat e fundit plenare dhe të komisioneve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë janë përfshirë nga tensionet.
Deputetët opozitarë kanë theksuar se "opozita është e vendosur që me këtë betejë në parlament të mbrojë me gjithë forcën të drejtat e saj kushtetuese".
Deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe deputetë të tjerë opozitarë kanë theksuar se "do të nisë qëndresa e opozitës në parlament", pasi sipas tyre "parlamenti është shndërruar në një institucion personal të kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentares Lindita Nikolla".