Husamedin Gina
22 Shtator 2020•Përditësim: 23 Shtator 2020
Në vendkalimin kufitar të Tabanocit sot është prezantuar parimi i funksionimit të korridoreve të gjelbra, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtori i Drejtorisë Doganore të Maqedonisë së Veriut, Gjoko Tanasoski, drejtori i Sekretariatit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), Emir Gjikiç, drejtori i Komunitetit të Transportit të BE-së, Matej Zakonjshek dhe sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, vizituan sot vendkalimin kufitar Tabanoc, ku u njoftuan me korridorin e vendosur të gjelbër, One Stop Shop (kontroll me një ndalesë).
Tanasoski në një deklaratë për media, duke theksuar se Drejtoria Doganore edhe gjatë pandemisë fuqimisht promovoi bashkëpunimin ndërkombëtar në kuadër të CEFTA-s, tha se zgjerimi i korridoreve të gjelbra do të jetë prioritet i administratës.
"Këto korridore të gjelbra së bashku me korsitë prioritare do të jenë një qëllim i ardhshëm i Drejtorisë Doganore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në kontekstin e zgjerimit të tyre dhe madje duke mundësuar, nëse është e mundur, të futen në kufijtë midis palëve të CEFTA-s me anëtarët e BE-së", tha Tanasoski.
Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, kujtoi se bashkësia ndërkombëtare në fillim të pandemisë mori pjesë në hapjen e korridoreve të gjelbra për të siguruar qarkullimin e mallrave dhe ilaçeve.
"Kemi filluar me 2.000 kamionë në ditë, ju e dini që ka rreth 14 kalime në të gjithë rajonin. Kështu që kamionëve fillimisht u duheshin 20 orë pritje në radhë për të kaluar", tha Bregu.
Duke shtuar se është rraskapitëse për vetë shoferët, Bregu tha se kjo po ashtu ka kosto ekonomike, me atë që për një orë pritjeje humbin 2 euro.
Ajo shtoi se nëse korridoret e gjelbra hapen 7/24, atëherë rajoni do të jetë në gjendje të kursejë 800 milionë euro në vit.
Drejtori i Komunitetit të Transportit të Bashkimit Evropian (BE), Matej Zakonjshek, theksoi se kjo sot është një shembull i ndritshëm i asaj që mund të arrihet kur një pikë kufitare mund të jetë plotësisht funksionale.