Ruslan Rehimov
18 Nëntor 2016•Përditësim: 19 Nëntor 2016
BAKU (AA) - Agjencia shtetërore azerbajxhanase e lajmeve (AZERTAC) merr presidencën e Unionit të Agjencive të Lajmeve të Azisë dhe Paqësorit (OANA).
Ka përfunduar mbledhja e 16-të e Këshillit Drejtues të OANA-s që u organizua në Baku të Azerbajxhanit. Anadolu Agency (AA) është përfaqësuar në këtë mbledhje nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, Mustafa Özkaya. Në këtë mbledhje morën pjesë 80 përfaqësues nga 40 agjenci të botës.
Në mbledhjet e bordit drejtues të OANA-s është marrë vendim për kalimin e Presidencës së radhës tek AZERTAC si dhe po të njëjtës agjenci i është dhënë detyra e sekretariatit të përgjithshëm.
Agjencia ruse e lajmeve TASS është zgjedhur në funksionin e zëvendësit të Presidencës, ndërkohë AA, agjencia kineze Xinhua dhe ajo e Koresë së Jugut, Yonhap do të vazhdojnë të kenë funksionin e zëvendëses të presidencës.
Menaxhimi i ueb-faqes së unionit dhe tema të tjera institucionale i kaluan AZERTAC.
Ndërsa agjencia iraniane IRNA, ajo e Bahrejnit BNA, e Vietnamit VNA, e Libanit NNA, e Australisë AAP, e Japonisë Kyodo, e Indisë PTI, e Malajzisë Bernama u zgjodhën anëtare të bordit drejtues.
Drejtori i Përgjithshëm i AZERTAC, Aslan Aslanov në një fjalë të mbajtur ka shprehur falënderimet për besimin ndaj tyre dhe ka falënderuar të gjitha agjencitë për këtë.
Duke theksuar se do të punojnë për forcimin e OANA-s, Aslanov në vijim ka thënë: ''Gjatë presidencës tonë do të kushtojmë rëndësi të veçantë të gjitha agjencive. Do të punojmë për ndërtimin e marrëdhënieve të dobishme si dhe për zhvillimin e shkëmbimit të përvojave mes agjencive."
AZERTAC ditën e djeshme mori përsipër Presidencën e radhës së Kongresit Botëror të Agjencive të Lajmeve (NAWC).