Ekip
21 Shkurt 2019•Përditësim: 23 Shkurt 2019
Aktivistët në Poloni rrëzuan sot shtatoren e një prifti të diskredituar pas ngritjes së akuzave se kishte abuzuar seksualisht me të mitur, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një video të publikuar shihen tre burra të cilët lidhën një litar rreth shtatores së imzot Henryk Jankowski në qytetin verior të Gdanskut dhe pastaj e tërhoqën dhe e rrëzuan për tokë, në shenjë proteste ndaj dështimit të kishës polake për t'u marrë me problemet e abuzimit seksual të klerikëve.
Jankowski, i cili vdiq në vitin 2010, u bë njohur në vitet 1980, nëpërmjet mbështetjes që i dha lëvizjes demokratike të Solidaritetit dhe udhëheqësit të saj, Lech Walesa, në luftën kundër regjimit komunist polak. Udhëheqësit botërorë, në mesin e të cilëve presidenti i SHBA-së George H.W. Bush dhe kryeministrja britanike Margaret Thatcher vizituan kishën e tij në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e tij antikomuniste.
Por, në muajt e fundit janë shfaqur dyshime se Jankowski ka abuzuar me të mitur, kryesisht djem.
Lidhur me pretendimet janë ngritur hetime ndërsa protestuesit kërkuan heqjen e shtatores së tij, por përpjekjet e tyre ishin të pasuksesshme.
Protestuesit në shtatoren e klerikut të shtrirë për toke sot, në njërën dorë të shtatores vendosën të brendshme të fëmijëve ndërsa me një shirit kishin lidhur rrobat e bardha fetare për fëmijë në trupin e shtatores.
Transmetuesi privat polak TVN24 raportoi se lidhur me rastin janë arrestuar tre burra.
Ky akt erdhi në momentet kur Papa Françesku ka mbledhur udhëheqësit e kishës nga e gjithë bota në Vatikan për t'u ballafaquar me krizën e abuzimit seksual në kishën katolike.