Selen Temizer
30 Maj 2017•Përditësim: 30 Maj 2017
ANKARA (AA) - Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) ka pohuar se regjimi i Bashar al Asadit ka kryer sulmin me armë kimike në Han Shejhun me mbështetjen e Rusisë, edhe atë në mënyrë të vetëdijshme dhe në tri faza, raporton Anadolu Agency (AA).
Këtë pohim SNHR e ka bërë në raportin "Forcat ruse me shumë gjasë kanë mbështetur forcat e regjimit në masakrën e Han Shejhun", i cili është publikuar ditën e djeshme dhe i cili është përgatitur me dëshmitë e të shpëtuarve të sulmit, mjekët që kanë trajtuar të plagosurit, zyrtarët e mbrojtjes civile dhe dëshmitarëve të tjerë.
Raporti analizon sulmin kimik më 4 prill në Han Shejhun në afërsi të provincës së Idlibit në kufi me Turqinë, në të cilin humbën jetën 91 civilë, kurse të paktën 520 të tjerë u plagosën. Siç thuhet në raport, faza e parë ka qenë që regjimi të bombardojë lagjen Shamali me avion Su-22.
Ndërkaq, faza e dytë, sipas raportit, ka qenë të pengohet qasja e ndihmës në vendin e rënies së bombës kimike dhe disa herë të bombardohen rrugët që çojnë në Han Shejhun.
Raporti më tej pohon se faza e tretë ka qenë që aeroplanë Su-25, të cilat SNHR "beson" t'i përkasin Rusisë, të vrasë civilët e plagosur dhe disa herë të bombardojë qendrën shëndetësore, një qendër të mbrojtjes civile dhe hapësirat e frekuentuara nga të plagosurit.
Në raportin e SNHR-së pohohet se aeroplanët të cilët besohet t'i përkasin Rusisë 48 orë para sulmit kanë bombarduar zonën jugore rurale të Idlibit dhe kanë bërë përgatitje për ta penguar arritjen e ndihmave në masakrën e Han Shejhunit.
Taktikë tejet e ngjashme me masakrën në Gutën Lindore
Sipas raportit, taktikë tejet e ngjashme është përdorur edhe në masakrën kimike në Gutën Lindore më 21 gusht të vitit 2013, në të cilën regjimi vrau 1.500 civilë.
Në raport më tej rikujtohet se 25 raporte të SHNR-së kanë dokumentuar se regjimi 346 herë ka kryer masakër me armë kimike dhe 169 sulme janë kryer pas rezolutës 2188 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS i OKB-së) pas masakrës në Gutën Lindore.
Në raport i bëhet thirrje KS të OKB-së të ushtrojë presion mbi Rusinë që të ndalojë së mbështeturi regjimin.