Dzihat Aliju
15 Gusht 2016•Përditësim: 16 Gusht 2016
SHKUP (AA) - Ambasada e Turqisë në Shkup, sot organizoi një konferencë shtypi informative në lidhje me ndihmat dhe punimet e bëra në rajonet e ndikuara nga përmbytjet në Shkup dhe rrethinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë konferencë mori pjesë ambasadori i Turqisë në Shkup, Ömür Şölendil, koordinatori i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Teoman Tiryaki, këshilltari i kryetarit të Kryebashkisë së Stambollit (IBB), njëherësh edhe zv.kryetari i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Ismail Hakki Turunç, përfaqësues të institucioneve turke të cilët gjenden në Shkup për ndihma dhe përfaqësues të OJQ-ve të Maqedonisë.
Ambasadori Ömür Şölendil në prononcimin e tij për media theksoi se edhe ai vetë ka qenë prezent në rajonin e përmbytjeve dhe se Turqia si gjithmonë me shpejtësi i ka angazhuar të gjitha mundësitë për të ndihmuar shtetin mik dhe vëlla, Maqedoninë.
Ai më tej duke theksuar se institucionet dhe komunat turke si Gjysmëhëna Turke, Drejtoria Turke për Menaxhimin e Katastrofave dhe Gjendjeve Emergjente (AFAD), TIKA, Kryebashkia e Stambollit (IBB), Komuna e Bursës (BBB), Komuna Eyüp në Stamboll janë angazhuar me shpejtësi, tha se kanë bashkëpunuar me Kryqin e Kuq të Maqedonisë dhe autoritetet përkatëse të këtij vendi.
Şölendil duke treguar se nën drejtimin e Ambasadës Turke në vend është formuar një këshill i koordinimit, tha se "Në këtë këshill marrin pjesë Gjysmëhëna e Kuqe, AFAD, TIKA, komunat e Turqisë, përfaqësues të OJQ-ve. Bëhet identifikimi i të gjithë ndihmave nga dora e parë në mënyrë të koordinuar. Ky sekretariat i koordinimit shërben 24 orë. Është në koordinim me autoritetet përkatëse të Maqedonisë. Të gjithë punimet dhe ndihmat të cilat ofrohen janë duke u bërë për të gjithë vëllezërit tanë në Maqedoni pa asnjë diskriminim. Do të vazhdojmë të ofrojmë ndihmën e nevojshme."
Nga ana tjetër këshilltari i kryetarit të Kryebashkisë së Stambollit (IBB), njëherësh edhe Zv.kryetari Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Ismail Hakki Turunç duke folur për anën teknike të ndihmave tha se në kuadër të IBB-së në fazën e parë të ndihmave janë sjellë 14 automjete me pajisje të teknologjisë së lartë së bashku me 34 punonjës.
Turunç duke theksuar se me mbështetjet të cilat i kanë marrë nga ambasada turke në vend dhe OJQ-të, tha se kanë vazhduar punimet e tyre me 21 automjete dhe 42 punonjës.
Ai më tej duke theksuar se do të vazhdojnë fazën e dytë të punimeve të tyre, tha se "Si rezultat i punimeve tona, pasi që të pastrohen vendbanimet do të kalojmë në fazën e dytë të ndihmave tona. Filluam një fushatë e cila parashikon të sjellë nga Turqia gjërat të cilat i kanë humbur njerëzit dhe plotësojë nevojat sociale. Komuna e Bursës para se të filloj kjo fushatë në mënyrë të ndjeshme shumë më herët dërgoi disa ndihma këtu. Që nga nesër me fushatat e filluara nga Unioni i Komunave të Turqisë, gjithashtu edhe nga Unioni i Komunave të Marmarasë do të sigurohet një kontribut i rëndësishëm këtu. Gjithashtu edhe TIKA dhe AFAD janë duke kontribuar këtu."
Turunç duke tërhequr vëmendjen se ndihmat e mëtejshme do t'i shpërndajnë ekipet e Gjysmëhënës së Kuqe së bashku me OJQ-të nga vendi, tha se "As kur ishim duke shpërndarë ndihma, as kur pastroheshin shtëpitë, rrugët ose vendet e adhurimit nuk kemi bërë diskriminim."