Halit Süleyman,Ayşe Aktaş
05 Maj 2017•Përditësim: 05 Maj 2017
MARE (AA) - HALİT SÜLEYMAN
Familjet arabe të cilat janë detyruar të largohen nga rajonet nën kontrollin e organizatës terroriste PYD/PKK në Siri, duke kaluar nëpërmjet territoreve të minuara nga DEASH-i strehohen tek opozitarët. Familjet të cilat reagojnë kundër arabëve që bashkëveprojnë me PYD/PKK-në dëshirojnë të kthehen në shtëpitë e tyre që ndodhen në rajonet nën pushtim, raporton Anadolu Agency (AA).
Njëra nga familjet që PYD/PKK-ja ka dëbuar nga rajoni Tel Rifat është familja Avad, e cila duke mos marrë asnjë send me vete dhe duke kaluar nëpërmjet territorit të minuar nga organizata terroriste DEASH-i ka humbur 2 anëtarë të saj.
Familja Avad qëndron në një çadër që ia kanë dhënë institucionet humanitare në fshatin El Huz, në rajonin Mare, në verilindje të Halepit, pasi kanë mbërritur aty bashkë me 9 familje të tjera të ardhura nga rajoni Tel Rifat dhe nga fshatrat përreth tij.
Kryetari i familjes Haxh Ebu Avad në një deklaratë për AA ka shpjeguar se PYD/PKK-ja i ka dërguar drejt "territoreve të vdekjes" të cilat janë minuara duke mos i lejuar që të merrnin asnjë gjë me vete.
"Kemi mbërritur këtu nën kushte shumë të vështira. Kemi mbërritur këtu sepse zonën e opozitarëve e kemi vërejtur të sigurtë", është shprehur Ebu Avad duke shtuar më tej se organizata terroriste i ka konfiskuar çdo gjë që kishin në Tel Rifat.
"PYD-ja personat që nuk dëshiron i nxjerr nga rajoni me pretendimin se janë anëtarë të DEASH-it ose i shërbejnë atij. Këtë nuk e kryen vetëm në Tel Rifat, por edhe kundër arabëve dhe turkmenëve në Tel Abjad dhe Suluk. Ata nxjerrin nga rajonet arabët dhe turkmenët duke marrë mbështetje nga aleatët e tyre", ka shtuar ndër të tjera Ebu Avad.
Duke vënë në dukje se në fshatin Huz qëndrojnë në çadër bashkë me të afërmit e tyre dhe se kanë shumë vështirësi kur bien shi apo kur bën ftohtë Ebu Avad është shprehur: "Sigurisht që ne këtu kemi ardhur përkohësisht. Do të rikthehemi në Tel Rifat, atje është toka jonë. Sikur arabët brenda Forcave Demokratike të Sirisë të dilnin kundër PYD-së familjet nuk do të largoheshin nga vendet e tyre. Ata nuk janë arabë, janë tradhtarë. Arabët vërejnë këtë teksa PYD-ja rend pas formimit të një shteti duke marrë rajonet arabe. Këtë po e regjistron historia. Kjo është një mizori dhe kjo mizori nuk mund të vazhdojmë si e tillë."
Edhe Mahmud el Hasan, një prej të dëbuarve nga PYD/PKK-ja është shprehur se bashkë me shumë familje të tjera kanë ardhur në Tel Rifat pas largimit nga sulmet intensive të regjimit dhe partnerëve të tij, në rajonin Hanasir në jug të Halepit.
Duke vënë në dukje se këtu kanë marrë tokë dhe shtëpi, Hasan tha se "PYD-ja na ka dëbuar nga shtëpitë tona duke përdorur si pretendim DEASH-in. Do të kthehemi në territoret në shtëpitë tona. Nuk do t'ia lëmë atyre Tel Rifat-in, edhe shtëpitë tona. Të mos i besojnë aleatëve të tyre. Ky kthim do të jetë i afërt."
Ndërsa İbrahim Hatab, një prej banorëve të rajonit Suluk i cili ka ardhur në qytetin çadër në Huz, tha se në pjesën veriore dhe zonat e tjera të Tel Abyad-it dhe Rakka-s organizata PYD është duke vazhduar dëbimet.
Duke njoftuar se organizata terroriste merr haraç afërsisht 6 mijë euro nga personat që nuk pranojnë të largohen dhe se ka konfiskuar arat e mbjellura Hatap ka shtuar më tej: "Shumë nga të njohurit e mi kanë ardhur në Munbixh dhe që nga aty në Jarabulus. Sipas informacioneve që kam marrë nga të afërmit e mi PYD-ja në Munbixh është duke marrë me shuma të larta ara, tokë dhe shtëpi. Në çadrat e ngritura në rajonet nën kontrollin e PYD-së në veri të Rakka-s qëndrojnë ata që kanë referencën e organizatës. Ndërsa ata që nuk kanë referencën e organizatës dërgohen sërish me forcë në Rakka".