Ekip
07 Dhjetor 2015•Përditësim: 07 Dhjetor 2015
EREVAN (AA) – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Armenisë ka publikuar sot rezultatet paraprake të referendumit të djeshëm në të cilin 63,35 përqind të shtetasve me të drejtë vote ishin pro reformave kushtetuese, raporton Anadolu Agency (AA).
Drafti i kushtetutës së re, që është publikuar në faqen e internetit të Ministrisë të Drejtësisë të Armenisë në korrik të këtij viti parashikon reduktimin e kompetencave të presidentit dhe forcon pushtetin e kryeministrit dhe parlamentit.
Referendumit iu përgjigjën 50,51 përqind nga 2.5 milion votues të regjistruar. Zbatimin e reformës kushtetuese e kanë mbështetur 63.35 përqind, ndërsa 32.35 përqind e votuesve votuan kundër reformës kushtetuese.
Krahasuar me zgjedhjet presidenciale, të cilat u mbajtën në Armeni dy vjet më parë, është regjistruar pjesëmarrje më e ulët për pothuajse dhjetë përqind. Komisioni shtoi se në referendumin e djeshëm ishin mbi 50.000 vota të pavlefshme.
Në Armeni aktualisht në fuqi është sistemi gjysmë-presidencial, ku presidenti Serj Sarkosjan është edhe lider i Partisë Republikane në pushtet, e cila në parlament ka 70 nga 131 deputetë.
Drafti i kushtetutës së re të përgatitur nga Komisioni Kushtetues i emëruar dy vjet më parë parashikon zgjedhjen jo të drejtpërdrejtë të presidentit nga organi zgjedhor të përbërë nga parlamentarët dhe përfaqësuesit e autoriteteve lokale. Mandati i Presidentit do të rritet nga 5 në 7 vjet, por i merret e drejta për më shumë se një mandat.
Kandidat për president të Armenisë sipas kushtetutës së re mund të jetë çdo shtetas armen mbi 40 vjeç dhe të paktën shtatë vjet që jetojnë në vend, por pas zgjedhjes në këtë pozitë do të duhet të heq dorë nga përkatësia partiake.
Parlamenti duhet të përbëhet nga 101 ulëse nga 131 sa ka tani, kurse mandati i parlamentit do të rritet nga 4 në 5 vjet.
Armenia u bë e pavarur, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, kurse kushtetutën e parë e kishte miratuar më 5 korrik 1995. Reformat kushtetuese të vitit 2005, sistemin presidencial e zëvendësuan me sistemin gjysmë-presidencial.