ANKARA (AA) - Përpjekjet e vitit të fundit për arritjen e armëpushimit për ndërprerjen e luftimeve të vazhdueshme në botë që po marrin jetëra të njerëzve dhe po nxisin valën e migrimeve, për parandalimin e tragjedive humanitare dhe për zgjidhjen e përçarjeve që po vazhdojnë prej vitesh, kanë ngelur pa rezultate, raporton Anadolu Agency (AA).
Përvjetori i nënshkrimit të marrëveshjes për armëpushim të nënshrkuar më 11 nëntor 1918 mes shteteve të Antantës dhe Gjermanisë që i dha fund zyrtarisht Luftës së Parë Botërore, nga shumë shtete nënshkruese shënohet si pushim dhe “Dita Botërore e Armëpushimit”.
Megjithatë, rajonet botërore si Siria, Jemeni, Malësia e Karabakut, Ukraina, Kashmiri, Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut ende janë skena konfliktesh dhe në to assesi nuk po arrihet armëpushim permanent.
Megjithëse Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) rëndom ka bërë thirrje për ndalimin e luftimeve, qasjen e autokolonave humanitare dhe zgjidhjen e kontesteve në mënyra paqësore, ajo nuk mban regjistrime për shkeljet që bëhen ndaj armëpushimeve dhe në rast të shkeljeve ajo del me deklarata se armëpushimi është shkelur nga dy palët e involvuara.
Siria
Si pasojë e luftës civile në Siri që po vazhdon që nga muaji mars i vitit 2011, deri më tani jetën kanë humbur mbi 600 mijë sirianë, gjashtë milionë janë strehuar në vendet fqinje, ndërsa 7.5 milionë sirianë janë shpërngulur nga vendbanimet e tyre brenda në Siri.
Në kuadër të përpjekjeve për arritjen e armëpushimit brenda këtij viti, shtetet kryesuese të Grupit Ndërkombëtar për Mbështetjen e Sirisë, SHBA dhe Rusia, më 22 shkurt njoftuan se është arritur marrëveshje për ndërprerjen e luftimeve në Siri.
Armëpushimi u bë i vlefshëm më 26 shkurt dhe u theksua se do të zgjaste katër javë. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, rezolutën 2268 që e miratoi këtë marrëveshje e pranoi më 26 shkurt me unanimitet votash.
Përkundër disa shkeljeve në ditët e para pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, kishte prirje për mbajtjen e premtimeve. Megjithatë, ato u harruan me konflitet që rifilluan në Halep, Idlib dhe Damask. Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR), në deklaratën që bëri më 10 mars, njoftoi se brenda 12 ditëve pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes ishin bërë 435 shkelje.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun, në deklaratën që dha më 2 maj pas rritjes së mëtutjeshme të luftimeve dhe shkeljeve, shprehu pikëllimin për intensifikimin e luftimeve dhe u bëri thirrje palëve që t’i kthehen marrëveshjes për ndalimin e luftimeve.
Me iniciativë të SHBA-ve dhe Rusisë, më 12 shtator gjatë festës së Kurban Bajramit, palët arritën marrëveshje në Siri për herë të dytë. Sipas kësaj marrëveshje, nga 12 shtatori armët do të pushonin për një javë dhe do të bëhej dërgimi i ndihmave humanitare në zonat e rrethuara me në krye Halepin.
Ky armëpushim në të cilin nuk morën pjes Al Nusra dhe DEASH, u prish më 17 shtator kur SHBA goditi trupat e ushtrisë siriane.
Pas përpjekjeve dhe bisedimeve të gjata, më 19 shtator u mundësua nisa e autokolonave humanitare drejt Halepit, por ndaj tyre u ndërmor sulm ajror. Si pasojë e sulmit, jetën humbën 18 pjesëtarë të autokolonës humanitare. Rusia dhe regjimi i Asadit, të cilët ndërmarrin sulme ajrore në rajon, pohuan se sulmi nuk ishte realizuar nga ana e tyre.
OKB dënoi sulmin dhe filloi hetim për gjetjen e përgjegjësve, megjithatë, ky hetim ende nuk ka dhënë rezultate.
Jemeni
Tjetër shtet në Lindjen e Mesme i përfshirë nga pasigura politike për shkak të luftimeve është Jemeni. Sipas raportit të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), nga fillimi i luftimeve në maj të vitit 2015 e deri më tani në Jemen jetën kanë humbur 7.070 persona, kurse 36.818 janë plagosur.
Në Jemen ende vazhdojnë luftimet mes lëvizjes Husi dhe sipmatizëve të kryetarit të përmbysur Ali Abdullah Saleh, në njerën anë, dhe ushtrisë së qeverisë legjitime të Jemenit dhe grupeve të mbështetuar nga koalicioni i kryesuar nga Arabia Saudite, në anën tjetër.
Shumë vende me në krye kryeqytetin Sana ende janë në okupimin e lëvizjes Husi dhe simpatizantëve të Saleh. Ndaj vendeve të çliruara nga ana e qeverisë legjitime rëndom organizohen sulnme me artileri nga lëvizja Husi dhe simpatizantët e Saleh.
Në deklaratën që dha Përfaqësuesi i Posaçëm i OKB-së për Jemenin Ismail Vild esh-Shejh Ahmed më 23 mars pas bisedimeve të gjata me palët, njoftoi se është arritur marrëveshje për ndërprerjen e luftimeve duke filluar nga 10 prilli. Në marrëveshje thuhej se palët kanë pranuar ndërprerjen e luftimeve në mënyrë që opozitarët të dorëzojnë armët dhe të tërhiqen nga vendet e okupuara, të sigurohet qasje e ndihmave humanitare, si dhe të fillohet procesit politik të bisedimeve. Megjithatë, shkeljet vazhduan edhe përkundër armëpushimit.
Shejh Ahmed më 17 tetor njoftoi se pas prishjes së armëpushimit të 10 prillit palët janë kanë rënë në ujdi sërish dhe se që nga mesnata e 19 tetorit do të fillojnë armëpushimin me kushtet e marrëveshjes së muajit prill.
Me rekomandim të OKB-së, marrëveshja hyri në fuqi më 19 tetor, ditë e mërkurë, me kohëzgjatje prej 72 orësh. Sipas marrëveshjes, u theksua nevoja që të ndalohen të gjitha luftimet dhe të lejohet hyrja e lirë e produkteve humanitare dhe shpërndarësve të tyre. Megjithëkëtë, Përfaqësuesi i OKB-së Shejh Ahmed bëri të ditur përmes një deklarate më 21 tetor se në kufirin Taiz-Arabi Saudite ka pasur shkelje.
Malësia e Karabakut
Luftimet që filluan me okupimin e territorit të Azerbajxhanit në Kaukazin Jugor nga ana e Armenisë dhe të cilat vazhduan edhe krahas marrëveshjes së armëpushimit të nënshkruar në vitin 1994 e që njihet si “Protokolli i Bishkekut”, kanë shkaktuar vdekjen e shumë civilëve dhe ushtarëve. Për zgjidhjen e çështjes së Karabakut edhe vitin e fundit u morën nisma për arritjen e marrëveshjes.
Sidoqoftë, si rezultat i shkeljeve nga ana e Armenisë, në fillim të muajit prill shpërthyen luftime në vijën e frontit.
Pas hapjes së zjarrit nga ushtria armene ndaj vendbanimeve civile në Azerbajxhan, ushtria e Azerbajxhanit filloi me sulm kundërpërgjigjës në vijën e frontit. Në operacionet që nisën në rajonet Aghdara, Terter, Agdam, Khojavend dhe Fuzuli u çliruan nga okupimi disa zona strategjike.
Sipas deklaratave të kohëpaskohshme të Ministrisë së Mbrojtjes të Azerbajxhanit, në luftime kanë rënë dëshmorë 31 ushtarë të Azerbajxhanit dhe janë vrarë 240 ushtarë armenë.
Me aktivizimin e Rusisë pas luftimeve intensive në vijën e frontit më 2-5 prill, palët u morën vesh për ndërprerjen e sulmeve më 5 prill. Edhe krahas kësaj marrëveshjeje, kohë pas kohe në vijën e frontit ndodhin luftime me intensitet të ulët.
Në korniza të përpjekjeve për zgjidhje, presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev dhe presidenti armen Serj Sarkisyan më 20 qershor u takuan në mbledhjen për Malësinë e Karabakut me ndërmjetësimin e presidentit rus Vladimir Putin.
Ndërkaq, Grupi i Minskut i OSCE-së që u themelua në vitin 1992 për nxitjen dhe ndërmjetësimin në zgjidhjen paqësore të kontestit mes Armenisë dhe Azerbajxhait dhe çështjes së Malësisë së Karabakut, zhvilloi takime në Baku dhe Erevan më 23-25 tetor. Në komunikatën e publikuar pas takimeve të Grupit të Minskut të kryesuar nga Rusia, Franca dhe SHBA-të, u ritheksua thirrja ndaj palëve për armëpushim në mënyrë që të vazhdohen negociatat.
Grupi i Minskut kritikohet për mosprodhim rezultatesh konkrete në zgjidhjen e kontestit të Malësisë së Karabakut, edhe pse përgjatë 24 viteve ka ndërmarrë iniciativa të shumta.
Ukraina
Marrëveshja së Minskut në vitin 2015 për t’i dhënë fund luftimeve mes separatistëve pro-rusë dhe ushtrisë ukrainase në lindje të Ukrainës që nga viti 2014 e deri më tani, ka ngelur nën hijen e shkeljeve.
Edhe përkundër vendimit të Grupit Trepalësht të Kontaktit për braktisjen e plotë dhe të pakushtëzuar të armëve gjatë festës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, të shtënat e armëve nuk heshtën nga dita e mbajtjes së mbledhjes më 22 dhjetor.
Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Ukrainës më 18 janar u theksua se edhe krahas marrëveshjes për armëpushin, në vijën kufitare janë rritur provokimet ndaj forcave të armatosura të Ukrainës. Po ashtu u potencua se separatistët pro-rusë gjatë ditës së 17 janarit kanë sulmuar me armë të kalibrit 82 mm dhe 120 mm ushtarët ukrainas dhe popullatën civile. Në deklaratë gjithashtu u tha se më 16 janar është hapur qëllimisht zjarr ndaj automjeteve të Misionit Special të OSCE-së për Monitorim.
Përfaqësuesi i Posaçëm i OSCE-së për Ukrainën Martin Sajdik, në mbledhjen e Grupit Trepalësh të Kontaktit që u mbajt në Minsk, bëri të ditur se për shkak të festës së Pashkëve kanë rënë në ujdi për armëpushim më 1 maj.
Megjithatë, zëdhënësi i Presidencës së Ukrainës për Luftën kundër Terrorizmit, Aleksander Motuzyanik, në ditën e fillimit të marrëveshjes tha se separatistët pro-rusë kanë shkelur dy herë armëpushimin në rajonin Lugansk.
Në mbledhjen e Grupit Trepalësh të Kontaktit të mbajtur në muajin gusht në Minsk, pala ukrainase i kishte bërë thirrje separatistëve pro-rusë për armëpushim të plotë në Donbas nga data 1 shtator, për shkak të fillimit të vitit arsimor. Në 12 orët e para të armëpushimit nuk kishte asnjë shkelje, por gjendja e qetësisë nuk zgjati shumë.
Nga ana tjetër, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës, Frank Steinmeier dhe Jean-Marc Ayrault, të cilët u gjendën në Kiev për të zhvilluar takime në lidhje me krizën në lindje të Ukrainës, deklaruan se palët janë marrë vesh për armëpushim njëjavor.
Kashmiri
Kontesti i Kashmirit të cilin Pakistani dhe India nuk kanë arritur ta zgjidhin që nga viti 1947 me shpalljen e pavarësisë nga Britania, ka hapur rrugën për vdekjen e mbi 70 mijë personave deri më tani, kontest ky në të cilin shkeljet e armëpushimeve kanë ardhur në gjendje kronike.
Pas rezolutës së 47-të të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 21 prill të vitit 1948 që njihte të drejtën e popullit të Kashmirit për vetëvendosje, më 1 janar të vitit 1949 u nënshkrua marrëveshje armëpushimi me ndërmjetësimin e OKB-së. Si do që të jetë, tensionet në Kashmirin e ndarë mes Pakistanit dhe Indisë nuk rreshtën prej më shumë se gjysmë shekulli.
Në Xhamu Kashmir, në luftimet që shpërthyen më 8 korrik mes forcave të sigurisë dhe pjesëtarëve të njërit prej grupeve që janë pro pavarësisë, Hizbul Muxhahidin, u vra njëri nga anëtarët e lartë të organizatës, Burhan Wani, gjë kjo e cila nxiti daljen në rrugë të dhjetëra mijëra personave.
Në demonstratat që vazhdojnë prej dy muajsh në të cilat forcat indiane të sigurisë kanë përdorur gaz lotsjellës dhe plumba të vërtetë, deri më tani jetën e kanë humbur mbi 90 banorë të Kashmirit, ndërsa më shumë se tre mijë civilë janë plagosur.
Si rezultat i hapjes zjarr kohë pas kohe në vijën e Kontrollit Kufitar në Kashmir e hartuar mes Pakistanit dhe Indisë, shkelet “armëpushimi kufitar”.
Gadishulli Korean
Shembull tjetër i përçarjeve të vazhdueshme dhe moszgjidhjes së armëpushimit, është Gadishulli Korean. Pas luftës së Koresë, në vitin 1953 mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut u nënshkrua marrëveshje për armëpushim. Meqenëse nuk është arritur marrëveshje për paqe, dy shtetet teknikisht janë në luftë.
Tensionet mes dy shteteve ngriten kohë pas kohe duke bërë shkelje.
news_share_descriptionsubscription_contact
