Ali Semerci
17 Dhjetor 2018•Përditësim: 18 Dhjetor 2018
MARIB (AA) – Shefi i diplomacisë së Jemenit, Halid al-Yemeni, tha se marrëveshja e armëpushimit në qytetin port të Al-Hudaydah do të hyjë në fuqi sonte në mesnatë, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Armëpushimi do të hyjë në fuqi më 18 dhjetor në mesnatë. Marrëveshja kërkon tërheqjen e të gjithë militantëve dhe forcave të armatosura nga Al-Hudaydah", tha al-Yemeni për televizionin shtetëror të Jemenit.
Ai njoftoi se menaxhimin administrativ të portit me po të njëjtin emër do ta marrë Menaxhmeti i Porteve në Detin e Kuq, i cili u formua në vitin 2014.
Marrëveshja e armëpushimit në këtë qytet u arrit këtë javë gjatë bisedimeve në Suedi. Marrëveshja e paqes parashikon tërheqjen e grupeve të armatosura dhe dorëzimin e qytetit dhe portit nën kontrollin e forcave neutrale. Po ashtu është paralajmëruar edhe hapja e korridorit humanitar.
Delegacioni i qeverisë jemenase të njohur ndërkombëtarisht dhe lëvizja rebele Huthi kanë rënë dakord për një skenar të ngjashëm edhe për qytetin Taiz dhe arritën marrëveshje për shkëmbimin e mijëra të burgosurve.
Al-Hudaydah është porti më i madh dhe qyteti më i rëndësishëm i Jemenit. Përmes këtij porti në Jemen mbërrijnë 90 për qind e importeve totale dhe 80 për qind të totalit të ndihmës humanitare.
Jemeni është skenë e një krize të thellë politike dhe të sigurisë që u përshkallëzua në luftë civile në fund të vitit 2014.
Lëvizja rebele Huthi kontrollon kryeqytetin Sana dhe disa rajone të tjera të rëndësishme të vendit, ndërsa qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Jemenit vepron nga qyteti port Aden.
Konfliktet në Jemen u thelluan më tej në mars të vitit 2015, kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj filluan sulmet ajrore mbi bastionet e kryengritësve.
Lufta shkatërroi infrastrukturën, përfshirë institucionet shëndetësore, furnizimin me ujë dhe kanalizimet, gjë e cila çoi OKB-në të përshkruajë situatën atje si një nga fatkeqësitë më të mëdha humanitare të kohëve moderne.