Fatjon Cuka
22 Maj 2023•Përditësim: 23 Maj 2023
TIRANË (AA) - Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për kandidatin për kryetar të Bashkisë Himarë, Alfred Beleri, raporton Anadolu.
Beleri, i cili tashmë gjatë hetimeve do të qëndrojë në paraburgim, akuzohet për veprën penale "korrupsioni aktiv në zgjedhje".
Ndërkohë, gjykata ka vendosur të njëjtën masë sigurie “arrest me burg” edhe për Pandeli Kokaveshin, të arrestuar së bashku me Belerin.
Një nga avokatët mbrojtës të Belerit, në një deklaratë për mediat pas seancës theksoi se "Beleri kërkoi vetëm drejtësi nga gjykata duke mos e pranuar dyshimin që është ngritur për të".
Ai ka shtuar se vendimin e sotëm për masën e sigurisë do ta apelojnë.
Ministrja Xhaçka takon homologun e saj grek
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, është takuar në Bruksel me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.
Xhaçka po merr pjesë në takimin informal në Bruksel të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së me ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Këshillit të Çështjeve me Jashtë të BE-së.
Në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me takimin me homologun e saj grek, Xhaçka shkruan se takimi ishte një mundësi shumë e mirë për të diskutuar mbi çështjen “Beleri”.
"Theksova qartazi se kjo është një çështje gjyqësore që nuk duhet të ndikojë në faqen e re që kemi hapur në marrëdhëniet tona dypalëshe. Kjo nuk është as çështje e të drejtave të njeriut, as politike, e jo më një çështje dypalëshe. Beleri gëzon të njëjtat të drejta si çdo qytetar tjetër shqiptar dhe asnjë qytetar shqiptar nuk është mbi ligjin. Blerja e votës është një shkelje e rëndë e ligjit tonë dhe çështja e tij tashmë është në gjykatë”, ka theksuar Xhaçka.
Xhaçka ka shtuar se “e vetmja gjë që ne të gjithë mund të bëjmë është të presim me durim që procesi të ecë në rrjedhën e tij dhe të mos paragjykojmë apo hamendësojmë atë".
Arrestimi i Belerit
Më 12 maj, Policia e Shqipërisë arrestoi kandidatin e disa partive opozitare për kryetar të Bashkisë Himarë, në Qarkun e Vlorës, Alfred Beleri, së bashku me një person tjetër, të akuzuar për veprën penale "korrupsioni aktiv në zgjedhje". Pas përfundimit të numërimit të votave, Beleri rezultoi fitues.
Sipas policisë, të arrestuarit dyshohen për përfshirje në aktivitete të blerjes së votave.
Arrestimi i Belerit, i cili njihet si anëtar i minoritetit grek në Shqipëri, ka shkaktuar reagime të partive politike dhe të zyrtarëve të institucioneve të ndryshme në Shqipëri, por edhe në Greqi.